Tomori rikthehet në shtëpi me Egnatian pas dy humbjeve radhazi në transfertë dhe për beratasit takimi ndaj skuadrës rrogozhinase është konsideruar si një finale, për vetë faktin se fitorja është konsideruar si jetike për të kërkuar ngjitjen në tabelë dhe më konkretisht në pesëshen e parë.
Fitorja do vlente edhe për të qetësuar sportdashësit beratas, të zhgënjyer nga një tjetër sezon mediokër dhe me shumë probleme, brenda e jashtë fushës së blertë.
Shqetësim konsiderohet dëmtimi pas një tërheqje i mbrojtësit Beci, i cili është në pikëpyetje për t’u aktivizuar ditën e sotme, por në pritje për t’u mësuar është edhe aktivizimi i kapitenit Çaço, i pezulluar me dy ndeshje nga komisioni i disiplinës.
duke vlerësuar peshën e tij në skuadër, të gjithë prisnin nga klubi që deri ditën e ndeshjes të kryhej pagesa për ndeshjen e dytë sipas rregullores, por deri më tani klubi ka heshtur.
Mungesa e parave duket se frenon gjithçka, pikërisht ajo mungesë që ka larguar disa lojtarë e do të largojë shumë të tjerë. Skuadra ka paga të prapambetura pa marrë dhe gjobat e vendosura nga klubi për rezultate të dobëta kanë acaruar disa nga titullarët, që në janar pritet të largohen, ndaj në Berat do të jetë janar ndryshimesh.
EDI SPAHIU