Tomori në hall, lojtarët ankohen për kushtet e stërvitjes

Tomori vijon stërvitjen në Berat dhe moti jashtëzakonisht i nxehtë po sikletos futbollistët, por jo vetëm kaq. Problem i madh është edhe tapeti sintetik, që në verë e bën të pamundur stërvitjen, pasi dihet që përdoret vetëm në vende malore dhe me temperatura të ulëta gjatë vitit.

Ndonëse askush nuk flet hapur dhe me prononcim për mediat, lojtarët ankohen se fusha nuk i lejon të stërviten si duhet. Edhe pse stërvitja nis pas orës 18.30, sërish moti është mjaft i nxehtë dhe nxehtësia e akumuluar gjatë ditës nga tapeti prej gome vazhdon të çlirohet edhe në mbrëmje.

Kjo ka bërë që futbollistët të kërkojnë spostimin gjetkë, ku të jetë e mundur për ndonjë minifazë përgatitore, pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për Pogradecin, apo për vende malore, ndërkohë që në të shkuarën Poliçani e Skrapari janë përdorur për fazë përgatitore.

Largimi i ekipit të parë do ishte një ndihmë e madhe edhe për ekipet e moshave, që stërviten në të nxehtin e tmerrshëm të pasdites. Duket qartë që në Berat askush nuk e vret mendjen për sportin, pasi gjërat elementare, fushat, mungojnë, ndërsa stadiumi bëhet me bar artificial për të kursyer në mirëmbajtje, por nuk e mendon askush që në verë fushat sintetike nuk përdoren dot në vendet e nxehta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *