Tomori çështje politike, grupimi i majtë ka akuza pa fund për privatizimin

Tomori është në kaos dhe rrezikon rënien në Kategorinë e Dytë, ndërkohë që ka kohë që flitet për privatizim, por nuk ka qartësi e nuk dihet kur do përfundojë si proces.

Kryetari i grupit socialist në Këshillin Bashkiak të Beratit, Alban Gjoka, ka folur për “SportEkpres” në lidhje me këtë çështje, duke hedhur akuza të forta në drejtim të bashkisë, për shkak të mungesës totale të transparencës.

– Zoti Alban, prononcimi juaj a është një sinjal i luftës së ndezur politike në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme për Bashkinë e Beratit?

– Jo, nuk është aspak e vërtetë, përkundrazi ne si forcë politike jemi më e madhja në qytetin e Beratit dhe me votat tona kishim zgjedhur drejtuesit në ikje të Bashkisë së qytetit. Jo vetëm që kemi të drejtën e ligjshme të reagojmë pas “mizanskenave” dhe akuzave boshe të drejtuesve të Bashkisë dhe disa zyrtarëve që vetëm lidhje me futbollin nuk kanë, por edhe na lind e drejta që të përgënjeshtrojmë çdo akuzë false në lidhje me të ashtuquajturin “refuzim” të procesit të  privatizimit të Tomorit nga ana e grupit socialist në Këshillin Bashkiak të qytetit, në mbledhjen e fundit të tij. Për parantezë, më duhet të them se ne jemi forca më e madhe politike në Berat, që kemi falur apo dhuruar Bashkinë në kuadrin e një koalicioni, por që forca politike në ikje nga skena në qytetin tonë, po kërkojnë të bëjnë politikë dhe të fitojnë padrejtësisht vota në kurrizin tonë dhe të futbollit sikur ta kishin pronë të vetën.

– Më konkretisht, cili ka qenë qëndrimi i arsyetuar i grupit socialist dhe a jeni ju kundër privatizimit të klubit, sikundër ju kanë akuzuar?

– Po shpjegohem shumë thjesht për qëndrimin tonë zyrtar, ku më së shumti kjo i vlen opinionit futbolldashës dhe qytetar beratas, që jo vetëm nuk e kanë ndjekur të plotë në median vizive lokale qëndrimin tonë zyrtar, por më keq akoma, ju serviren nga aparatçikë të rëndomtë në media disa deklarata që shtrembërojnë të vërtetën. Në mënyrë të beftë dhe pa asnjë paralajmërim apo mbledhje në komisionet përkatëse përpara mbledhjes së Këshillit, na është servirur në mbledhje një material vërtetë amatoresk për nga mënyra e formulimit, ku na kërkohej që të votonim për hapjen e procedurave të privatizimit, në vend që të kishte një argumentim të hollësishëm dhe shumë profesional. Për të mos u zgjatur më shumë në këto detaje, më duhet të them se grupi socialist e cilësoi si shumë të nxituar dhe tendencioz këtë veprim të Bashkisë, ndaj ka vendosur që të abstenojë, duke mos u dhënë mundësinë atyre personave që kërkojnë nxitimthi që të çojnë klubin për interesa të dyshimta drejt privatizimit. Kjo u duk qartë nga mënyra nervoze me të cilën u shfaqën drejtuesit dhe sejmenët e tyre menjëherë pas votimit që nuk mori votat e nevojshme.

– Po pse grupi socialist akuzohet se është kundër privatizimit?

– E ritheksoj se gjithçka është gatuar në mënyrë tendencioze nga njerëz që kërkojnë më shumë se sa t’i shërbejnë futbollit beratas, duan që ta heqin qafe atë dhe pse jo dhe të përfitojnë prej tij për interesa të caktuara. Pse pikërisht në këtë moment kërkohet privatizimi, në një kohë që këta zotërinjtë në ikje kishin kohë një mandat për të kryer procesin e privatizimit, aq më shumë kur e kishin të gjithë mbështetjen tonë si grup, sepse ju dhamë kryetarin por i votonim edhe buxhetin pa asnjë problem, edhe pse nën drejtimin e tyre ata quajnë sukses ngjitjen në Kategorinë e Parë që është një detyrë për klubin dhe emrin e Tomorit? Kishin një buxhet që ishte i taksapaguesve beratas, por me klubin Bashkia dhe forca e tyre politike janë sjellë sikur ta kishin pronë private, mjafton të shikosh punësimet apo borderonë e klubit, ku paguheshin 37 persona në total, a thua se ishte pronë private. Së fundi, vijnë në mbledhje dhe na thonë që ka dy kërkesa për privatizim, por në material nuk u thonë asnjë detaj këshilltarëve. Ne s’mund të votonim symbyllur këtë dëshirë të drejtuesve në ikje të Bashkisë Berat. Ne jemi shumë të qartë për sa i përket futbollit në Berat dhe nuk do të lejojmë as tjetërsimin e ish-stadiumit të vjetër që këta zotërinj premtuan shumë, por e lanë në mëshirë të fatit, dhe as të pengojmë zhvillimin e futbollit, që procesin e privatizimit do ta kalojmë mbi bazën e ligjit dhe nga Bashkia e mandatit të ri që do të drejtohet nga PS.

– Po si do të procedoni në rast se vjen sërish një kërkesë në mbledhjen e radhës?

– Besoj se isha shumë i qartë pak më sipër, klubi shkon në privatizim mandatin tjetër. Në mbledhjen e radhës do të jetë radha jonë që të kërkojmë transparencën financiare të klubit të futbollit dhe çdo investimi që është kryer në infrastrukturën e futbollit në këtë mandat. Do të kërkojmë llogari dhe do të nxjerrim para përgjegjësisë të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me lekët e taksapaguesve beratas, sepse janë paguar persona jashtë çdo kriteri në borderonë e klubit dhe lekët e buxhetit vjetor nuk janë investuar për ekipet e moshave. Për fat të keq, paguhen vetëm trajnerët nga ana e klubit, ndërsa futbollistët dhe prindërit e tyre paguajnë dietat e udhëtimit për ndeshjet zyrtare. Kemi shumë materiale dhe do të kërkojmë llogari deri në një, pasi nuk mund të lejojmë në këtë fund mandati që persona mediokër që për një devotshmëri ndaj kryetarit apo forcës politike që drejton Bashkinë, të vazhdojnë të dëmtojnë imazhin e një klubi me histori 93-vjecare, duke na dëmtuar rëndë si në mungesën e organizimit në ndeshjen me Apoloninë, ashtu edhe pse nuk e nisën skuadrën në ndeshjen në Ballsh, a thua se Tomori është pronë e tyre dhe e forcës politike që ata përfaqësojnë.

FLET NIKOLETA MANKA (Kryetare e Këshillit Bashkiak dhe përfaqësuese e PS)

“Unë nuk do të flas më shumë se sa atë çka kam konstatuar me keqardhje gjatë procedurës së mbledhjes dhe më konkretisht për pikën që u abstenua me të drejtë nga ana e këshilltarëve socialistë që është edhe grupi më i madh në Këshillin Bashkiak. Në fillim më bëri përshtypje materiali i formuluar shumë cekët dhe pa asnjë argument konkret nga ana e përpiluesve që e sollën me shumë nxitim për miratim në Këshill. Këta flasin për dy firma që kërkojnë të privatizojnë klubin, por harrojnë se asnjë firmë nuk kishte një plan biznesi dhe për më shumë kur pretendohet për një firmë italiane. Është shumë e rëndësishme që të ketë seriozitet dhe jo se do një tifoz që punon në këtë firmë apo edhe vetë pronari, pasi në Itali dhe kudo në botë nuk të jep njeri në privatizim një klub pa sjellë garanci financiare dhe plan biznesi. Për të ardhur tek procedura, ku ligji e thotë qartë se tjetërsimi i pronës publike kalon me miratimin e 3/5 të votës së anëtarëve të Këshillit, ndërsa këta nxitonin me numër të thjeshtë votash, a thua se po privatizonin ndonjë objekt të rëndomtë dhe jo një klub futbolli. Qëndrimi i këshilltarëve të PS ka qenë shumë i drejtë e parimor dhe mbi të gjitha në mbështetje dhe bazuar tërësisht në ligj. Ata që kërkuan të bëjnë një privatizim të dyshimtë nëpërmjet hapjes nxitimthi të një procedure, bëjnë mirë të heshtin dhe t’u kërkojnë falje kolegëve të tyre socialistë dhe qytetarëve beratas, sepse kërkojnë mesa kuptohet qartë që të mbulojnë dështimin e tyre me futbollin dhe sportin në përgjithësi në fund të mandatit të tyre”.

 EDI SPAHIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online