Tjetër tërmet te Skënderbeu, Jashanica pozitiv për doping

Sikur të mos mjaftonte furtuna e UEFA-s me kërkesën për përjashtim 10-vjeçar nga Europa, tashmë vjen lajmi i hidhur për mbrojtësin, që mund të mungojë gjatë

Mbrojtësi i Skënderbeut, Bajram Jashanica, ka rezultuar pozitiv në kontrollet antidoping dhe do të mungojë për një kohë të gjatë. 27-vjeçari nga Prishtina, i cili ka luajtur 145 ndeshje me fanellën e klubit korçar, është zbuluar pozitiv pas kontrolleve të kryera në shtator, pas ndeshjes Skënderbeu-Jang Bojs në Europa League. Sport Ekspres mëson se tashmë në zyrat e klubit korçar ka mbërritur edhe e-maili zyrtar që njofton Skënderbeun, por edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, në lidhje me substancën e ndaluar që është përdorur nga Jashanica, i cili pezullohet për dy vite. Natyrisht, në raste të tilla nevojitet edhe testi B, por edhe aty rezultati ka qenë i njëjtë. Është një lajm i rëndë, si për vetë lojtarin, ashtu edhe për klubin, që e shihte Jashanicën si një ndër lojtarët me më shumë treg dhe mund ta kishte shitur që në janar.

SUBSTANCA Sipas rregullores në kupat e Europës, klubet janë të informuar se pas çdo takimi dy lojtarë me short të rastësishëm i nënshtrohen testit antidoping. Në dy pjesëmarrje në fazën e grupeve, Skënderbeu nuk kishte pasur asnjë rast pozitiv, deri tani, sepse nga UEFA ka ardhur njoftimi se Jashanica ka pasur një masë jashtë normales të substancës Prednisolut, ose Prednisolon. Bëhet fjalë për një glukokortikoid (steroid) që jepet vetëm me recetën e mjekut. Është një substancë që përdoret për të ndihmuar në shërimin e inflamacioneve në zona të ndryshme të trupit, ndërkohë që përdoret edhe për kurimin e problemeve të ndryshme, si enjtja e goditjeve apo plagëve, alergji serioze, asmë, probleme me gjakun apo palcën kurrizore, probleme me shikimin, probleme lëkure e të tjera. Problemi është se kjo substancë është në listën e medikamenteve të ndaluara ËADA, Agjencia Botërore Anti-Doping, ndaj pezullimi është i paevitueshëm.

DËNIMI Duke qenë se ka rezultuar pozitiv më 28 shtator 2017, tashmë Jashanica do të mungojë deri në fund të vitit 2019, që është një lajm i tmerrshëm për të dhe për Skënderbeun. Jashanica është në kulmin e karrierës dhe në moshën 27-vjeçare është bërë një titullar fiks edhe te Kosova, ku ka luajtur 4 ndeshje nga minuta e parë vjeshtën e shkuar. Më herët këtë sezon Jashanica ka pasur probleme fizike dhe këtë sezon disa herë ka luajtur duke u sforcuar, ndaj ndoshta është nevojitur ndonjë mjekim për të përballuar dëmtimet. Ndërkaq, në këtë moment Jashanica është sërish i dëmtuar, pasi klubi ka informuar se mbrojtësi është dashur të operohet dhe do të mungojë rreth një muaj e gjysmë. Sido që të jetë, tashmë Jashanica është i detyruar të pushojë dhe të riaftësohet pa pasur presionin e kthimit në fushë.

E ARDHMJA – Një mungesë dyvjeçare do të thotë që mbrojtësit i prishet karriera, sepse gjatë vitit të fundit ka qenë shpesh pranë shitjes në kampionate të rëndësishëm, por asgjë nuk është arritur, për faktin se Skënderbeu ka kërkuar gjithnjë shifra të rëndësishme, duke nisur nga 500 mijë euro. Tashmë gjithçka merr fund dhe sapo UEFA të bëjë publik vendimin, është e qartë që do të mbyllet çdo dritare transferimi gjetkë. Ekziston mundësia që Skënderbeu dhe lojtari të komunikojnë me UEFA-n dhe organet anti-doping, për të pretenduar pafajësinë dhe përdorimin e substancës pa qenë në dijeni që ishte në listën e substancave të ndaluara, por sido që të shkojë, e shumta që Jashanica mund të përfitojë, është 5-6 muaj ulje dënimi, për faktin se nuk ka precedent dopingu, ashtu si Skënderbeu. Natyrisht, duhet ndërtuar një strategji e mirë mbrojtëse, për të vërtetuar arsyen e marrjes së medikamentit dhe mungesën e dijenisë nga ana e mjekëve për ndalimin e përdorimit të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online