Nuk ka gjetur ende një ekip të ri mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti. Ai la ekipin e Torinos dhe është ende një lojtar i lirë në kërkim të një strehimi. Krotone e ka në plane, por ende nuk është ndarë nëse ekipi italian do të luajë në Seria B (pas rrëzimit nga Seria A), apo do të luajë në elitën e futbollit italian (nëse dënohet Kievo).
Ajeti mbetet “peng” i kësaj vendimarrje, por nga krahu tjetër sinjale të forta ka marrë nga Polonia. Legia e Varshavës e ka në listën e transferimeve. Polakët duan një qendërmbrojtës me patjetër dhe emri i shqiptarit qëndron përkrah të serbit Milosh Kosanoviç, balotazh i fortë.
Kampionët e Polonisë e kanë nisur mjaft keq sezonin e ri, pasi janë eliminuar nga Champions League, kanë ndryshuar trajner dhe nuk kanë rezultate në kampionat. Mbrojtësi kryesor, Mishel Pazdan, do të largohet drejt Turqisë me shumë mundësi, ndërsa mbrojtësi tjetër, Uilliam Remi, u dëmtua rëndë në ndeshjen e fundit. Ndërhyrje në mbrojtje duhet me patjetër, fati i Ajetit.