“Titulli? Do festoj vetëm kur…“, rrëfehet Djarmati: Nuk kemi fusha, nga Milani huazojmë për 1 vit e gjysmë

0

Vllaznia ka qenë e bukura e këtij sezoni në Superiore. Me ndryshimet rrënjësore në merkaton e verës shumë pak ishin ata që besuan se suksesi do të vinte përnjëherë, por koha tregoi të kundërtën. Kuqeblutë kanë fituar zemrën e të gjithë tifozëve, teksa me lojën e tyre kanë marrë rezultate maksimale, duke ruajtur edhe kreun e tabelës së klasifikimit. Një meritë në këtë arritje ka edhe drejtori sportiv, Matko Djarmati.

Kroati ka ndërtuar një grup tejet të fortë në kampin shkodran, ndërsa punën e tij nuk po e ndal as në këtë merkato të janarit. Në një intervistë për gazetaren Enxhi Biba në “Sport News Plus“ në “News 24”, Djarmati rrëfen këtë sezon të Vllaznisë, problematikat e klubit, si dhe detaje nga kjo merkato dimri.

“Është e mundur të shkojmë edhe 20 pikë përpara, por tani nuk kemi siguruar asgjë. Edhe çfarë ishte përfolur më parë trofeu kampion i dimrit, për mua nuk është asgjë, nuk ka asnjë vlerë. Nuk kemi mbaruar as gjysmën e sezonit deri tani. Kur të jemi 3 javë përpara përfundimit të kampionatit dhe 9 pikë para, atëherë do të nisim të festojmë.

Më shumë më bezdisin kushtet stërvitore. Stërvitemi në një fushë ku në reshjet e shiut për 15 ditë rresht nuk kishim mundësinë ta preknim barin natyral. Më shumë më shqetëson kjo se sa pagat. Vllaznia funksionon në një mënyrë ndryshe nga klubet e tjera. Jam i sigurt që deri në fund të janarit do të jetë zgjidhur problemi i pagave. Vllaznia nuk ka borxhe te asnjë lojtar, edhe ata që kanë luajtur më përpara. Por ka ana sportive nuk shohim zgjidhje deri në momentin që të bëhet koha më mirë. Nga Shkodra në Koplik nuk kemi një fushë me bar natyral ku të stërvitemi. Ky është problemi.

Ndryshime të mëdha në merkato? Këto lajmë kanë dalë më shumë nga portalet e panjohura. Nuk kemi thënë për ndryshime të mëdhaja. Deri tani jemi shumë të kënaqur me këtë grup lojtarësh që kemi. Janë larguar 5 lojtar, sepse ishin të pakënaqur me minutazhin. Me lejen e klubit janë larguar. Sise nuk është lojtari jonë. Ka ardhur në një provë 7 ditore dhe varet nga transferimi i Dungës. Për të ka një ofertë zyrtare nga një klub japonez, por nuk ishim të kënaqur me ofertën. E kemi refuzuar dhe presim ofertën tjetër. Jemi në bisedime me këtë klub.

Murati nga Milani? Jemi në bisedime me menaxherin, por një huazim 6 mujor nuk është në interes për ne. Nuk kemi interes të rrisim lojtarin, ai lojtar ka kosto. Nëse jepet 1 vit e gjysmë huazim do ta realizojmë këtë transferim”, ka deklaruar Matko Djarmati./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.