Sa i bukur dhe i paparashikueshëm është futbolli. Emocione që të dhuron një ndeshje ndoshta nuk të dhuron një jetë e tërë. Të shkojnë ndër mend kutjime, emocione, por edhe suksese të arritura, pa harruar në mes zhgënjimet dhe trishtimet…
E megjithatë, nuk jetohet me të shkuarën, por të tashmen dhe e tashmja quhet… Belgjikë-Francë për Titi Henri, një ikonë e vërtetë në Francë dhe sot asistenti i trajnerit Martinez te Belgjika. Ishte pikërisht spanjolli ai që e kërkoi me ngulm, duke ditur vlerat e ish-sulmuesit të Arsenalit, për sa i përket punës me pjesën ofensive. Shumë talente, shumë brumë, por duhej edhe disiplina taktike dhe teknike.
Kështu, Henri mori në dorë repartin ofensiv të Belgjikës dhe sot ka festuar me të drejtë te goli i De Brujne, një kundërsulm vrastar, meritë e tij, sidomos, për atë që ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe.
Belgjika ka shënuar deri tani 18 gola në këtë Botëror, më shumë se kushdo, teksa përballja tjetër do ta vendosë, në gjysmëfinale, me Francën e Didier Deshampit, që Henri njeh mjaft mirë, sepse ka fituar 1 Botëror, 1 Europian dhe 1 Kupë Konfederatash.
Një gjel jashtë kotecit blu, por që do të përpiqet të këndojë më shumë se sa… kombëtarja e tij, pasi ai tani përfaqëson punën dhe metodologjinë belge.