Gledi Mici përfundoi aventurën e tij me Shkëndijën e Tetovës, fanellën e të cilëve e mbajti veshur për plot 2 vite. Kontrata mes palëve ka përfunduar dhe e ardhmja e mbojtësit shqiptar duket larg Maqedonisë së Veriut. Tirana ishte një nga klubet e përfolura për të siguruar shërbimet e Micit, i cili do të ishte një përforcim me shumë vlerë për kualifikueset e Champions League.
Por gara nuk do të jetë e lehtë për bardheblutë, që tashme duket se mund t’u shpëtojë nga duart mbrojtësi shqiptar. Sipas asaj që bën të ditur “Sportmedia.mk“, sirena turke kanë nisur të bien për 29-vjeçarin. Tre ekipe nga Super Liga e Turqisë janë vënë pas Gledi Micit. Bëhet fjalë për Antaliasport, Alaniasport dhe Denizlisport. Me këto oferta zgjedhja e futbollistit shqiptar me shumë mundësi mund të jetë Turqia dhe jo Shqipëria, pasi do të gjente një kampionat më të fortë dhe sigurisht me përfitime monetare më të larta./Halit Delibashi-Sport Ekspres/