Teuta po zhvillon një sezon për t’u duartrokitur, teksa 3 javë përpara fundit është pranë mbërritjes së objektivave të saj. Bregdetarët mbajnë vendin e 3-të në kampionat dhe prekën finalen Kupës së Shqipërisë, trofe të cilin e kërkojnë me ngulm për rastin e 100 vjetorit. Por pavarësisht suksesit, pas përfundimit të sezonit te Teuta do të nisin firot.
Kallaku është një nga elementet kryesore të skuadrës që po shqyrton ofertat për të lënë “djemtë e detit” dhe Kategorinë Superiore gjithashtu. E në të njëjtën situatë është edhe një tjetër lojtar i durrsakëve, Florent Avdyli, i cili në një intervistë për “Gazeta Olle” ka pohuar se kontrata me Teutën ka përfunduar dhe po analizon ofertat që duket se nuk i mungojnë.
“Ka qenë një sezon mjaft i mirë si në aspektin personal ashtu edhe ekipor. Që nga fillimi objektivi i jonë si skuadër ka qenë të shkojmë në garat evropiane dhe të fitojmë kupën. E kemi një ndeshje vendimtare këtë fundjavë me Partizanin ku edhe do te vendoset sa i përket Evropës, kemi avantazhin e 4 pikëve, dhe jemi më të relaksuar por gjithsesi objektivi kryesor tashmë është të fitojmë kupën dhe shpresoj te ia arrijmë qëllimit.
Jam shumë i kënaqur pasi jemi në finale dhe kemi mundësinë të fitojmë trofeun. Do të jetë e vështirë pasi kemi përball Tiranën, ekipin me shumë gjasë kampion të ardhshëm të Shqipërisë, por sido që të jetë ne e kemi mundur edhe më herët Tiranën dhe do tentojmë ta mposhtim dhe ta fitojmë trofeun e Kupës.
Kontrata ime me Teutën ka mbaruar, kam oferta nga ekipe si në Shqipëri ashtu edhe nga Kosova, jam duke i shqyrtuar ofertat, por do te vendosi pasi te përfundoj sezoni sepse për momentin jam i fokusuar tek ndeshjet e mbetura sepse dua te jap më të mirën për ekipin që t’i arrijmë objektivat tona”, ka thënë Avdyli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/