Tirana vazhdon projektin e Superiores. Ekipi bardheblu ka arritur marrëveshjen me mesfushorin Asion Daja. Ky i fundit ishte në merkato, pasi u fol se mund të largohej nga bardheblutë, por nuk do të ndodhë kështu.
Shtatshkurtri ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit dhe rinovoi për dy vitet e ardhshme. Njoftimi u bë zyrtar nga kanali zyrtar i Tiranës në “Facebook”. Rinovimi i Dajës u prezantua nga zyrtari i bardhebluve, Arbi Laçi.
Daja do të jetë pjesë e bardhebluve dhe për sezonin e ardhshëm, ndërsa kjo do të thotë se pista e Ardit Krymit, mesfushorit të Vllaznisë, zbehet dhe më shumë. Lojtari duket se nuk do të jetë pjesë e bardhebluve për sezonin e ardhshëm.