Që në vendin tonë gjërat zvarriten dhe mundësisht lihen për në minutën e fundit është diçka që dihet, por ky fenomen nuk ka si të mungojë dhe në futboll. Tirana e ka humbur gjyqin me Gjergji Muzakën, ndonëse flitet për një çështje që ka marrë përgjigje që në janarin e vitit 2017.
Gjithsesi, problemet financiare në klubet shqiptare janë të ditura, ashtu si dhe tolerimet e FSHF-së. Komisioni i Disiplinës kishte vendosur ultimatum për kryeqytetasit dhe palët nënshkruan një marrëveshje, sipas së cilës Muzaka do të bëhej me tre këste.
Më 18 tetor, ky Komision vendosi: “Detyrohet KF Tirana të ekzekutojë pjesën e mbetur të detyrimeve financiare ndaj kërkuesit Gjergji Muzaka, sipas vendimit Nr.1 datë 23.01.2017 të DHKZK brenda një afati 30 ditor, duke nisur nga data e shpalljes së këtij vendimi. Paralajmërohet KF Tirana, se me kalimin e afatit 30 ditor, do të merren masat përkatëse në bazë të Kodit të Disiplinës Sportive”.
Këstin e parë Muzaka e ka marrë, ndërsa kishte ardhur koha për të marrë edhe këstin e dytë. Fillimisht kishte paqartësi nëse bardheblutë e kishin kaluar këstin e dytë, mësohet se në llogari të lojtarit ka kaluar dhe pjesën e dytë të borxhit, pasi koha e vënë nga FSHF kishte përfunduar.
Për Momentin Tirana i shpëton heqjes së pikëve, por nuk duhet harruar se ka dhe një këst të tretë që kryeqytetasit duhet të shlyejnë, pasi në të kundërt rrezikojnë jo pak.