Tirana do të ndeshet me Makabin e Tel Avivit në Europa League dhe përballë janë dy klubet me më shumë trofe në kampionatet përkatës.
Megjithatë, nëse Tirana është në vitin më të zi në histori, Makabi e ka kaluar me kohë krizën. Në periudhën 2003-2013 Makabi nuk fitoi asnjë titull në Izrael, por kthesa e madhje erdhi nga ndryshimet e mëdha në klub.
Drejtor i ri i klubit u bë Zhordi Krujf, i biri i legjendarit Johan, dhe që aty nisi kthimi i Makabit në majën e futbollit izraelit.
Me trajnerin Oskar Garsia në drejtim, Makabi dominoi ligën 2012/2013 dhe triumfoi me 13 pikë avantazh nga vendi i dytë
Në sezonin 2013-14 drejtimin e skuadrës e mori Paulo Souza dhe suksesi vazhdoi, me titullin kampion dhe gola pa fund nga Eran Zahavi, ai që na shënoi dy herë me Izraelin në Elbasan. Edhe në Europa League Makabi shkëlqeu, duke kaluar edhe fazën e grupeve, para se të ndalej nga Bazeli.
Në sezonin 2014/15 Paulo Souza iku te Bazeli dhe Makabi vuajti në kupat e Europës, pasi i luajti në fushë asnjëanëse ndeshjet shtëpiake. Fillimisht drejtimin e mori Oskar Garsia, por spanjolli iku pa nisur sezoni dhe drejtimin e mori Pako Ajestaran. Atë sezon Makabi fitoi gjithë trofetë e mundshëm në Izrael, ndërsa Eran Zahavi theu rekordin për shënimin e golave në ndeshje rresht, duke shkuar në 27 gola gjatë gjithë sezonit.
Në sezonin 2015-16 Makabi u kualifikua për në grupet e Ligës së Kampioneve, por nuk pati shanse kundër Çelsit, Portos e Dinamos së Kievit. Në mesin e sezonit drejtimin e mori Peter Bos, por nuk u fitua asnjë trofe dhe u cilësua si “viti më i keq i epokës Krujf”. Përveç kësaj, Eran Zahavi (99 gola në 120 ndeshje kampionati) iku në Kinë, duke firmosur për Guangzhou R&F, që i pagoi 8.5 milionë dollarë Makabit.
Në fillim të sezonit të shkuar Makabi punësoi gjeorgjianin Shota Arveladze dhe bleu disa lojtarë shumë cilësorë, si sulmuesi Kjartanson nga Malmo. Megjithatë, gjatë sezonit pati shumë luhatje dhe në fillim të janarit Zhordi Krujf e mori vetë drejtimin e skuadrës, për të ndalur krizën. Tetë fitore e një barazim në 9 ndeshje, por Krujf u postua sërish në rolin e drejtorit sportiv në mars, duke emëruar trajner angolanin Lito Vidigal.
Titulli nuk u fitua dhe tashmë Zhordi Krujf zbret sërish në fushë, sepse para pak ditësh u emërua trajneri i ri. “Është viti im i gjashtë në klub dhe e kam të qartë se çfarë presin prej meje tifozët dhe pronari i klubit Miç Goldhar. Jam i vendosur të përmbush gjithë pritshmëritë, do të ndërtoj një skuadër të aftë të dominojë në Izrael dhe të shkëlqejë edhe në Europë”.
Skuadra është super: Dasa e Tibi janë titullarë të mbrojtjes së Izraelit, ashtu si mesfushori Golasa e sulmuesi Ben Haim, ndërsa islandezi Kjartanson është një garanci, pas 19 golave në debutimin e tij në futbollin izraelit.