Tirana zyrtarizoi veshjen bardheblu të Ismail Dungës. 26-vjeçari afrikan ishte pjesë e Luftëtarit sezonin e kaluar, ndërsa dy vitet e ardhshme do të jetë i Tiranës. Përveç sulmuesit, sot është prezantuar edhe një mbrojtës.
Kostandin Kariqi ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me 24 herë kampionët e Shqipërisë. 22-vjeçari ka qenë në xhiron e Shqipërisë U-21 këto vitet e fundit, por edhe me Shqipërinë U-19 në vitin 2014. I rritur në Greqi (ish-Asteras Magulis dhe Trikalla), Karriqi shpërtheu te Anagenisi Kardhica, duke luajtur 27 ndeshje të plota, me një asist dhe një nivel mjaft të mirë loje.
Sezonin e fundit luajti me Volos, që u ngjit në Superligë. 14 ndeshje (12 titullar) dhe një gol për Karriqin, i cili do të provojë Superioren sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi luan në qendër dhe në të djathtë dhe pritet që të japë kontributin e tij për bardheblutë.