Tirana mbyll çështjen Kastrati, miliona për Majkëll Ngoo

Tirana ka shlyer plotësisht borxhin ndaj grekëve të Panathinaikos, ndërkohë që për sulmuesin anglez ka interesim nga Belgjika. 25-vjeçari drejt largimit

Çështja e borxheve të prapambetura te Tirana ka qenë një nga problemet kryesore, por ka dritë në fund të tunelit, pasi shumë prej borxheve janë shlyer dhe klubi ka nisur të gjenerojë të ardhura të rëndësishme, sidomos nga shitjet e lojtarëve, nga edhe ku erdhën rreth 600 mijë euro këtë verë. Reuben Akua dhe Mervejl Ndokit ishin ata që sollën miliona në arkat e klubit, ndërkohë që tashmë është “zhdukur” edhe një tjetër borxh, një nga më të mëdhenjtë të klubit, ai ndaj Panathinaikosit për Ilir Kastratin, mesfushorin që iu bashkua bardhebluve në verën e vitit 2013. Pak minuta në ndeshjen Tirana-Kastrioti, konkretisht 12, dhe grekët fituan të drejtën për të përfituar nga Tirana taksën e formimit të Kastratit. Pas gjyqit detyrimi me gjithë kamatëvonesa shkonte në 150 mijë euro dhe tashmë ky borxh është zeruar, një lajm i mirë për bardheblutë. Gjithsesi ende nuk janë mbyllur të gjitha dhe sfida më e madhe është që të zgjidhet çështja e borxhit “Seferi”.

MAJKËLL NGOO

Sulmuesi anglez mund të largohet nga Tirana në muajin janar, pasi për të në klub ka ardhur një ofertë e rëndësishme. Plot 150 mijë euro janë ofruar për 25-vjeçarin, që me bardheblutë këtë sezon ka gjetur rrugën e rrjetës pesë herë. Sigurisht që drejtuesit në rast se e shesin ish-lojtarin e Liverpulit, do të tentojnë të afrojnë një tjetër që ta zëvendësojë atë, ndaj edhe po vëzhgohet në tregun e huaj.

FAZA PËRGATITORE

Te Tirana e kanë mendjen te Kupa e Shqipërisë dhe për të kaluar Kukësin do të duhet përgatitje serioze dhe përqendrim maksimal. Rivali është mjaft i fortë dhe drejtuesit e klubit e kanë marrë seriozisht, aq sa po programohet të zhvillohet faza përgatitore në Turqi, më së shumti për t’i shërbyer përgatitjes së ekipit për ndeshjet çerekfinale të Kupës, pasi kampionati i Kategorisë së parë nis më vonë. Tirana nuk kërkon thjesht ngjitjen në Superiore, por edhe mbrojtjen e trofeut të Kupës, që përkthehet në të ardhura për klubin dhe mundësi për të reklamuar e shitur të tjerë lojtarë gjatë merkatos së verës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *