Ze Maria po e ndërton Tiranën sipas ideve të tij dhe klubi bardheblu i ka lënë dorë të lirë. Trajneri brazilian nuk e njeh futbollin shqiptar dhe natyrisht me Tiranën né Kategorinë e Parë, është e vështirë të tërhiqen lojtarët më të mirë në Superiore.
Për këtë arsye, Ze Maria po sheh te ish-ekipi i tij Gor Mahia për përforcime, aq sa po krijon probleme brenda klubit kenian.
Mesfushori Kenet Muguna, futbollisti më i mirë i Kenias sezonin e shkuar, raportohet se ka marrë një ofertë konkrete me rreth 3600 euro në muaj, ndërsa nuk është paraqitur në stërvitje dhe është përjashtuar nga ndeshja e fundit.
Trajneri anglez Dilan Kerr, i cili po vazhdon punën e nisur nga Ze Maria, me Gor Mahian që po shkon drejt titullit, ka komentuar shumë i nervozuar: “Muguna ka edhe dy vite kontratë, kush e do, le të paguajë 3 milionë dollarë! Kam mësuar se Zhak Tujisenge dhe Godfrej Ualusimbi kanë oferta dhe nuk është e drejtë, ata kanë kontrata deri në janar. Nuk është korrekte kjo që po ndodh, sepse skuadra po humbet përqendrimin”.