Nga Klaudio Ndreca
Skënder Gega ka bërë një intervistë për “Top Channel”, atje ku ka kujtuar historinë e arritur me Partizanin. Të sigurosh titullin kampion dhe në një derbi të fituar ndaj Tiranës, kjo nuk mund të ndodhte as në ëndrrën më të bukur.
E këtë e arriti një trajner si Skënder Gega, që është vetëm për t’u duartrokitur për mënyrën sesi shkoi te objektivi i madh. Duke mos u ankuar asnjëherë për arbitrimin dhe duke mbajtur një Partizan të ndezur, që nuk kaloi asnjë krizë gjatë kampionatit.
Kur vjen puna për të dhënë merita për një koleg tjetër të tijin, megjithëse është pjesë e Tiranës, nuk ngurron të thotë fjalët më të mira për punën që është e dukshme.
“Patjetër që ka qenë një vit i jashtëzakonshëm, për mua të paktën. Një vit i rrallë në karrierën time dhe për të gjithë tifozët e kuq dhe të gjithë dashamirësit e Partizanit. Kështu që sot është data 12, ekzakt një vit përpara ne kemi fituar matematikisht titullin duke u shpallur kampion. Unë besoj se për mua dhe për shumë njerëz që janë të lidhur me atë fanellë kjo do të jetë një datë e shënuar që do ta kujtojmë.
Më vjen keq që Partizani nuk dha atë që ne prisnim. Trajnerët ndoshta ndikuan, trajnerët e rinj që vijnë në një ambient të ri dhe nuk e njohin. Por falë atyre djemve që në përgjithësi njerëzit nuk i quajtën si grup të talentuar, por për mua janë grupi më i pazëvendësueshëm. Kështu që si të them nëse kanë bërë mirë apo keq që një pjesë është larguar. Nëse do të isha trajner vendimet do të ishin të miat teknikisht e kam fjalën.
Teknikisht Egbo ka bërë një punë të jashtëzakonshme sepse nuk është vetëm një javë por janë disa javë, 15 javë edhe pse në ndonjë moment me dilema apo jo 100% por kështu është i gjithë futbolli, në fund po 15 javë mbeten ato, për këtë arsye mendoj që janë me meritë aty ku janë”, tha Gega. /Sport Ekspres/