Tirana e dy modeleve në dy sezone në Europë! Dështoi në vitin e kaluar, por ja pse shpresat rriten në këtë vit

Tirana arriti që të shpallej kampione në sezonin e kaluar në Superiore, por dështoi në Europë. Bardheblutë kishin një eksperiencë e cila ishte tërësisht për t’u harruar duke u mundur nga Dudelange dhe Zrinjski.

Por në ndryshim nga historia e sezonit të shkuar, Tirana po ndjek tjetër formulë këtë herë. Kështu në sezonin e shkuar, te bardheblutë menduan që t’i “lidhnin” yjet e tyre kryesorë që ishin pranë largimit. Te ekipi u kishin kërkuar lojtarët që ishin gati për largim, që të qëndronin deri në fund të aventurës europiane dhe pastaj të lëviznin në ekipet e reja.

Pavarësisht se kjo ide mori shumë duartrokitje fillimisht, në fund nuk rezultoi e duhura. Lojtarët që ishin me mendje për të ikur nga Tirana, dështuan tërësisht dhe ishin zhgënjim i madh në Europë, duke i marrë ndeshjet më vendimtare si miqësore.

Këtë herë bardheblutë ndoqën një formulë tjetër. Ata arritën që të siguronin shërbimet e futbollistëve më cilësorë dhe që e njohin shumë mirë kampionatin shqiptar, të sprovuar për nivelet e larta në futbollin tonë. Të gjithë lojtarë që supozohet të kenë një vend titullari dhe për këtë arsye, uria e tyre e madhe për t’i treguar Shehit se duhet të jenë nga minuta e parë, mund t’i sjellë shumë sukses kundër Dinamo Batumit në Conference League. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *