Tirana duhet ta ketë ende peng! Rast i rrallë te Partizani, të jesh afër historisë dhe askush të mos dijë asgjë për fytyrën e ekipit

Partizani zgjodhi që të ndryshonte stafin drejtues pas shpalljes kampion në Superiore. Europa nisi me një trajner të ri, Zekic erdhi në krye të ekipit. Por askush nuk mund ta mendonte në fillim se Partizani do të ishte afër kalimit në Play Off të Conference League dhe se askush nuk do ta kishte një ide të qartë për ekipin e Zekic, nëse mund të quhet “i mirë” apo “i keq”.

Është padyshim një rast për studim, që gjithsesi e ka një shpjegim sado të vogël. Gjithçka lidhet me faktin që në bazë të formulës që përdoret, ekipi kampion ka shumë prioritete për të shkuar larg në Europë. Kështu Ballkani kaloi në grupet e Conference League në sezonin e shkuar pasi u eliminua nga Zalgiris në Champions dhe pasi kaloi rivalë si La Fiorita e San Marino, Klaksvik e Ishujve Faroe dhe pasi mundi Shkupin në fazën e Play Off. Pra rivalët janë të dorës së dytë kur shpallesh kampion.

Këtë mungesë identiteti të Partizanit të ri nuk e kupton dot as vetë trajneri Zekic që jep të tjera udhëzime dhe sheh në fushë një tjetër panoramë, me idetë e tij që zbatohen vetëm në disa minuta të caktuara.

Trajneri e shprehu hapur në dy ndeshjet me Escaldes dhe pas përballjes me Valmieran që ekipi nuk po i përgjigjet në mënyrën e duhur. Ndeshja e parë me Bate Borisov nuk duhet marrë shumë në konsideratë, ishte debutuese për Zekic dhe pas vetëm dy miqësoreve të zhvilluara në turin veror.

Ndeshja në transfertë me Baten ka qenë më pozitivja sa i përket Partizanit në lojën e zhvilluar, por pavarësisht rasteve të shumta që krijoi, nuk arriti dot të shënonte dhe rivali e nxori nga Champions League duke e mundur 2-0. Më vonë Bate Borisov u shpartallua nga Arisi i Qipros me 11 gola të pësuara dhe kjo shkaktoi shumë dyshime mes tifozëve të Partizanit sa i përket forcës që kishin bjellorusët.

Për të kaluar te një ndeshje kundër Escaldes në transfertë, një ekipi modest që ndërroi trajnerin dhe i ikën 8 lojtarë para ndeshjes me Partizanin. Aty të kuqtë zhvilluan ndeshjen më të keqe në drejtimin e Zekic, por në fund fituan me golin e dhuruar nga portieri i Escaldes. Ndeshja e kthimit përfundoi me fitoren e thellë të Partizanit, por sërish në pjesën e parë, rivali shpërdoroi 2-3 mundësi të pastra shënimi që do t’i jepnin ndeshjes një drejtim tjetër.

Mbrojtja u çorodit për disa minuta dhe përballë tyre ishin lojtarë fare pak cilësorë. Për të kaluar te përballja e djeshme me Valmieran. Pavarësisht se Partizani ishte dukshëm më lart në cilësi, ishte Valmiera që arriti të shënonte gol. Vetëm në pjesën e dytë Partizani arriti të luante futboll siç të gjithë e prisnim dhe atëherë, golat ishin jo si prodhim i ndonjë skeme të Zekic që befasoi trajnerin kundërshtar.

Trajneri i Valmieras e kishte thënë që para ndeshjes se Partizani si skemë të vetën ka atë të krosimeve nga krahët. Një i tillë erdhi te goli i Tedi Carës, që iu bashkangjit rrëshqitja e mbrojtësit të Valmieras para se topi të shkonte te Cara. Ndërkohë te goli i dytë, rrëshqiti portieri i Valmieras dhe topi përfundoi në rrjetë. Dy rrëshqitje, dy gola!

Madje trajneri i letonezëve, Kalns, kishte më shumë vlerësime për Partizanin para ndeshjes sesa në përfundim të saj. Në fillim Kalns u shpreh se Partizani ishte më mirë edhe se Ljubjana e Sllovenisë, por pas përfundimit të ndeshjes, ku ekipi shqiptar fitoi në transfertë, Kalns tha: “Me atë që pashë në fushë, kemi shumë shanse për të kaluar në Play Off të Conference League. Pësuam dy gola budallenj, fatkeq, nga rrëshqitjet e lojtarëve tanë në fushë”.

Pikëpyetjet janë të mëdha edhe në fazën e mbrojtjes, Kocijan, i ardhur me bekimin e Zekic, po shfaq pasiguri në shumë momente. Kjo është situata te Partizani, mes shumë pikëpyetjesh, pasigurisë dhe një mungese ritmi. Partizani nuk është më ai ekipi i mëparshëm, që i nis ndeshjet me “marsh të pestë” dhe me dëshirë të madhe për të shkuar te goli që në minutat e para. Partizani i Zekic zgjohet zakonisht në pjesën e dytë, në të parën është thuajse inekzistent në fushë.

E në mes të kësaj panorame që është kaq e zymtë, rezultatet flasin në favor të trajnerit. Pavarësisht rivalëve dhe emrave të tyre, fakt është që nëse të kuqtë kalojnë në fazën Play Off të Conference League, Zekic do të shkruante emrin e tij në historinë e kampionëve të Shqipërisë.

Por ky Partizani është vërtet shumë i çuditshëm, në ndryshim me të kaluarën. Gjithmonë pas ndeshjeve të tij është e vështirë për të kuptuar shijen që të lë ekipi në fushën e blertë. Nëse ritmi do të shtohet me kalimin e ndeshjeve, gjithçka e shkuar të keq do të harrohet, kura më e mira është historia që po bëhet në Europë, për ironi të fatit në ditët më këqija. Nëse do të vazhdohet me po të njëjtën lojë dhe eliminimi nga Europa do të vijë shpejt, Zekic mund të fillojë të ndiejë rrezikun që pa nisur mirë kampionati.

Nga krahu tjetër te Tirana duhet ta kenë mendjen ende te ai kampionat i humbur me Partizanin. Nëse bardheblutë do të kishin dalë kampion, do të ishin më së paku në vendin e Partizanit sot. Me merkaton verore dhe paraqitjen që bënë në Europë në dy turet e Conference League, kishte jo pak gjasa që Tirana të eliminonte edhe Bate Borisov.

Por më së paku bardheblutë do të ishin në këtë moment dhe vend ku gjendet sot rivali i tyre më i madh, Partizani, ndoshta edhe duke e pasur më të garantuar vendin e Play Off të Conference League. Për të shkuar deri këtu kërkohet titulli kampion i fituar dhe në sezonin që lamë pas ishte Partizani që ia doli. Kështu në sezonin e ri dhe me këto formula të ndryshuara në Europë, ekipet e mëdha të Superiore, më shumë sesa për historinë dhe paratë e fituara nga titulli kampion, e kërkojnë vendin e parë për të shkuar shumë larg në Europë. Partizani, Ballkani dhe Struga janë vetëm një hap larg Play Off të Conference League, tre ekipet kampione, nuk është koecidencë… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *