Futbolli është sporti më i bukur dhe që gjithmonë merr vëmendje edhe për shkak se intepretimi për të njëjtën panoramë që shihet është shumë i ndryshëm. Përshëmbull, për disa Kristjan Asllani ka qenë lojtari i ndeshjes te Shqipëria kundër Gjeorgjisë dhe për të tjerë, nën nivel. I ftuar në emisionin Koha Shtesë që transmetohet në Youtube, Ismet Munishi i është përgjigjur me batutë edhe kësaj çështje.
“Asllani është super lojtar, unë nuk e mbaj mend kur ka bërë një ndeshje të dobët për Shqipërinë ky futbollist. Nuk më kujtohet kur ka bërë një ndeshje poshtë nivelit të tij te Shqipëria. Gjithmonë ka qenë në nivel. Madje unë kam thënë që çelësi i suksesit te Shqipëria ka qenë mesfusha. Kam përshtypjen se ata që e kritikojnë Asllani janë tifozët shqiptarë të Milanit”, tha duke qeshur Munishi. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/