“Tifozët shqiptarë i kishim kudo, i gjetëm edhe në Bjellorusi”, Reja shpalos objektivat: Duket deklaratë mendjemadhe por…

0

Edi Reja është duke udhëhequr stërvitjet e Kombëtares shqiptare në Barcelonë. Shqipëria luan dy miqësore të rëndësishme në ditët në vijim, ku spikat një ndeshje luksi si ajo ndaj Spanjës. Trajneri i Kombëtares sonë ka dhënë një intervistë për gazetarin Sokol Xhihani për mikrofonin e “Supersport”-it, ku ka prekur një sërë temash.

Reja tregon më tepër mbi mënyrën se si e ka gjetur grupin pas një periudhe të gjatë pushimi, si dhe bën të qartë se të gjithë lojtarëve do u vijë mundësia të aktivizohen në ndeshjet me Spanjën dhe Gjeorgjinë. Gjithashtu Reja ka prekur edhe çështjen e tifozëve, të cilët i vlerëson së tepërmi për mbështetjen e pakushtëzuar që i japin kuqezinjve./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Intervista e Edi Rejës për “Supersport”:

Si e keni kaluar këtë periudhë, nga fundi i eliminatoreve të Botërorit, te rikonfirmimi në krye të Shqipërisë e deri në këtë grumbullim?

Kisha nostalgji për t’i riparë lojtarët, pasi kishte kaluar ca kohë. Më vjen keq për dëmtimet  e shumta që kanë ndodhur, për Abrashin, që po rikuperohej, për Dermakun, Veselin… Grumbullova disa te rinj dhe t’i shohim, pasi është Bajrami, i ditëlindjes 2022,  është Asllani, që po luan mirë me Empolin, kështu do t’i shohim në punë, pasi në miqësore bëhet edhe kjo. Uroj të rigjej shpirtin e duhur, siç e lamë në kompeticionin e “Nations League”. I kam parë lojtarët në stërvitje, ka shumë harmoni, e dimë mirë se ndaj Spanjës do të kemi vështirësi të mëdha, që i sjell kjo ndeshje, por ne do të kërkojmë të përmirësohemi më shumë, nëse është e mundur, në mënyrë që të jemi gati për “Nations League”-n e ardhshme.

Ndaj Spanjës kuptohet që do të jetë shumë e vështirë, sepse është një skuadër shumë cilësore. Mendoni që mund të marrim rezultat pozitiv?

Ky është synimi ynë. Kemi luajtur kundër Anglisë, kundër Francës dhe do të më pëlqente të përballeshim me Spanjën, duke marrë në konsideratë vlerën teknike, pasi është një skuadër që në aspektin e zotërimit të topit është e jashtëzakonshme, ndoshta më e mira në botë. Ne duhet të bëjmë një ndeshje shumë agresive, të mos u lejojmë të bëjnë lojën e tyre, këtë po përgatitim këto ditë. Do të më pëlqente të bënim një paraqitje të mirë, por, mbi të gjitha, për të pasur më shumë  vetëbesim dhe për të treguar se po përmirësohemi shumë në krahasim me të kaluarën. Edhe nëse bën një ndeshje në pritje të kundërshtarit, është e qartë se kjo në aspektin teknik të vë në vështirësi. Do të përpiqemi t’i krijojmë probleme Spanjës, ky është synimi  im dhe i djemve.

A e keni krijuar idenë se me cilët lojtarë Shqipëria do të zbresë në fushë ndaj Spanjës?

E di shumë mirë që të gjithë do të donin të luanin. Do të pëlqente t’i shpërbleja të gjithë, por kjo nuk është e mundur. Gjithsesi, një pjesë e mirë e tyre do të luajnë. Pastaj është ndeshja tjetër me Gjeorgjinë që unë e konsideroj thelbësore, pasi me Spanjën, edhe pse s’më pëlqen të humbas, mund të ndodhë, por në ndeshjen tjetër, në shtëpi, me Gjeorgjinë, është e  qartë se duhet të bëjmë një paraqitje të madhe, pasi edhe kjo është një skuadër e fortë, ka lojtarë që janë të mirë fizikisht. I konsideroj të dyja këto ndeshje shumë të rëndësishme. Në fakt, i kisha kërkuar presidentit të më jepte dy miqësore të mira dhe ia dolëm, edhe sepse ne duhet të shohim se në ç’pikë jemi, në aspektin teknik dhe të progresit që kemi bërë, sepse janë dy impenjime të rëndësishme për të ardhmen tonë.

Kemi sulmues që po kalojnë një moment të mirë: Uzuni mori transferimin te Granada, Broja po shënon te Southmaptoni, Vrioni në Austri dhe Cikalleshi në Turqi, por ashti Manaj ka gjetur rrugën e rrjetës…

E kam thënë dhe herë tjetër, kur kam folur me djemtë, që këtu duhet të ndihen të gjithë titullarë. Nuk ka rezerva, pasi kur bëj grumbullimin e shikoj se si po ecin me skuadrat respektive dhe aktualisht janë të gjithë për fat të mirë në aktivitet, po luajnë dhe janë në gjendje të mirë. Cikalleshi ka shënuar, Vrioni ka zgjidhur problemet fizike, një tjetër lojtar që bën pjesë në grupin tonë, duke konsideruar ndeshjet që do të zhvillojmë në qershor, Tani është në pikëpyetje ndeshja me Rusinë, qe s’e dimë si do të shkojë, por duke pasur 4 ndeshje në 12 ditë kisha nevojë për dy skuadra, pasi nuk mund të luajnë çdo tri ditë, ndaj duhet të krijoj një grup me 22-23 lojtare, pak a shumë të të njëjtit nivel. Sa u përket sulmuesve, ekziston vështirësia e zgjedhjes, pasi janë të gjithë lojtarë që po bëjnë shumë mirë. Është Uzuni, që vuan paksa, ndoshta pasi në Spanjë ka një tjetër tip mentaliteti. Do ta njohë edhe këtë filozofi futbolli, gjithsesi i ka cilësitë dhe aspektin fizik të bëjë mirë dhe në këtë kampionat. Uroj të ketë vazhdimësi sa i përket pozicionit, pasi kam parë që ndonjëherë luan në krah. Tani po bën sulmuesin e parë, nuk e ka gjetur ende rolin ideal, dhe në këtë aspekt uroj që ta gjejë, por jam i kënaqur me sulmuesit për atë që po bëjnë. Mendoj se mund t’i aktivizoj të pestë në këto dy ndeshje, pastaj të shohim cilin më parë dhe cilin më pas.

Cili është objektivi në këto dy miqësore?

Objektivi është gjithmonë të bëjmë mirë, kemi arritur të kemi rezultate të mira deri tani. Fillimisht kishim luhatje, por edhe në “Nations League” bëmë mirë. Më vjen keq për punën e Botërorit, pasi nëse do të kishim qenë pak më të drejtë, do të kishim thënë tonën. Duke marrë në konsideratë skualifikimin e Rusisë, mund të ishim ne në vendin e Polonisë, do të kishte qenë diçka ekzaltuese, por kjo nuk do të thotë se nuk bëmë mirë. Sigurisht që bëmë mirë, duke fituar dy ndeshje me Hungarinë, që nuk ishte e lehtë. Në të ardhmen, në “Nations league” do të më pëlqente të fitonim grupin. Duket deklaratë shumë mendjemadhe, por nuk kështu, skuadra beson, i shoh lojtarët që besojnë te puna që bëjmë dhe janë të bindur se janë të fortë. Sigurisht që nuk jemi të fortë Spanja, por kundër Islandës, kundër të tjerave në nivelin tonë, janë ndeshje që duhen fituar. Duhet të krijojmë mentalitetin e duhur, futbollistët të mos mendojnë në aspektin individual, por të mendojmë si kolektiv. Nëse përmirësojmë këtë aspekt dhe përqafojmë këtë filozofi, çdo objektiv është i mundshëm, duke marrë përvojë nga “Nations” i kaluar, ku u përballëm me skuadra të forta, përtej Andorrës e San Marinos, por me skuadrat e forta luajtëm me kokën lart dhe treguam se luajtëm më mirë se Polonia në të dyja ndeshjet. Rezultati nuk ishte për ne, por këto janë përvoja që na shërbejnë, pasi duhet të përmirësojmë disa aspekte apo mangësi. Nëse përmirësohemi edhe pak, është e qartë se mund të shkojmë kudo dhe të luajmë me kokën lart më këdo.

Çfarë mesazhi keni për tifozët? E prisni mbështetjen e tyre në këto dy ndeshje?

Nuk ka nevojë të them asgjë, pasi e kam ndier nxehtësinë, gjithmonë kudo ku kemi qenë  kemi pasur gjithmonë tifozët shqiptarë. Edhe në Bjellorusi i gjetëm, me kujtohet që ishte një nga ndeshjet e para, dhe gjithmonë kanë treguar afërsinë me këtë skuadër, që bëhet shumë e rëndësishme për djemtë, që e ndiejnë këtë tifozëri. Dua t’i falënderoj që qëndrojnë pranë skuadrës. Natyrisht, nuk mund të falënderoj  gjestet kundër Polonisë, që janë të dënueshme. Mëkat, sepse nuk e di çfarë reagimi do të kishim pasur në fushë menjëherë pas golit të pësuar, pasi u ndalëm për 20 minuta apo gjysmë ore dhe ky ishte një episod për t’u dënuar, por për pjesën tjetër janë të zotë dhe dua t’i falënderoj, pasi edhe në Itali shoh që ka shumë shqiptarë që e ndjekin këtë skuadër dhe janë të lidhur me të. Shpresoj që t’u japë kënaqësi, që të mos udhëtojnë kot dhe të kthehen të lumtur dhe jo me kritika. Kritika ka gjithmonë, por e rëndësishme është të na ndjekin me pasion, siç kanë bërë që kur jam këtu.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.