Punimet në stadium po ecin me ritme të ngadalta dhe shumë ndeshje verdhejeshilët do i luajnë jashtë
Ndërkohë që ekipi verdhejeshil të shtunën dhe të dielën e kësaj fundjave është lënë pushim nga stafi teknik, punimet për heqjen e tapetit të vjetër të “Roza Haxhiut” po ecin me ritme mjaft të ngadalta. Ky ritëm është kthyer në një shqetësim për sportdashësit në përgjithësi dhe për ultrasit që nuk mungojnë në asnjë seancë stërvitore. Një ditë para nisjes së ekipit drejt Italisë për miqësoren me Leçen, verdhejeshilët e zhvillonin stërvitjen në gjysmën e pa hequr të tapetit të vjetër në “Roza Haxhiu”. Aktualisht kjo gjysmë fushe është cunguar nga heqja e tapetit, kështu që ditën sotme stafi teknik do detyrohet që të aplikojë seancat stërvitore në terrenin tejet të amortizuar të aneksit para tribunës qendrore të stadiumit. Temperaturat e larta të këtyre ditëve janë një vështirësi e dyfishuar, po të kemi parasysh se ky aneks ndihmës i stadiumit “Roza Haxhiu” është i mbuluar vetëm nga pluhuri, pasi bari natyral nuk ekziston në të. Vetëm shtegtimi sa më parë i ekipit në fazën e përgatitore në Pogradec mund t’u garantoj verdhejeshilëve përgatitje normale. Kështu, me plot të drejtë, edhe tifozit më të verbër të ekipit verdhejeshil i lind dyshimi se ata që kanë në dorë drejtimin e ekipit të futbollit nuk janë duke e vënë shumë ujin në zjarr për përshpejtimin e ritmeve të punimeve për rikonstruksionin e stadiumit, në mënyrë që Lushnja të zhvillojë sa më pak ndeshje shtëpie jashtë fushës së tyre. Organizimi i miqësores me Leçen është një arsye më shumë për të vërtetuar frymën e mosbesimit të tifozërisë lushnjare ndaj atyre që kanë në dorë drejtimin dhe menaxhimin e futbollit lushnjar. Prandaj, me plotësisht të drejtë sportdashësit në qytetin myzeqar nuk e kanë pranuar si logjike harxhimet e bëra për një miqësore të pa mbështetur në baza profesionale. Kontigjenti i futbollistëve që u mor dhe u aktivizua në këtë miqësore misteri është një temë më vete, që ndoshta kërkon një analizë më vete në kohën dhe momentin e duhur. Edhe pse sot e kësaj dite drejtuesit e Lushnjes nuk denjojnë të deklarojnë burimin e të ardhurave që u shpenzuan për organizimin e kësaj miqësoreje, shumë mirë ajo shumë monetare mund të ishte shpenzuar për zhvillimin e fazës përgatitore në kushte komode apo në funksion të rehabilitimit të fushave sportive të “Roza Haxhiut”. Gjithsesi, zhvendosja e ekipit një orë e më parë në Pogradec apo diku tjetër për vazhdimësinë e fazës përgatitore është më shumë se domosdoshmëri, nëse kërkohet që fillimi i kampionatit t’i gjej futbollistët lushnjar në formën e duhur. Ajo që mund të themi me siguri tani për tani, fatkeqësisht konsiston në faktin se gjysma e kampionatit të Superiores për verdhejeshilët rrezikon të luhet jashtë stadiumit “Roza Haxhiu”.