“Tifozët e Tiranës janë vitrinë në futbollin shqiptar”, kapiteni Muça përgjigjet: Akuza dashakeqe ndaj nesh

Tirana është me një dorë te titulli kampion këtë sezon, megjithëse për të arritur deri aty duhet të mos humbasë ritmin në 10 ndeshjet e mbetura. Kapiteni i bardhebluve, Gentjan Muça, ka dhënë një intervistë për “Fax Web“, ku ka folur gjerë e gjatë për Tiranën dhe jo vetëm. Futbollsti i kryeqytetasve ka dhënë përgjigje për akuzat e ngritura nga kundërshtarët se bardheblutë janë stërvitur në fushë fshehurazi, ndërsa thekson se këto janë deklarata të pabaza dhe dashakeqe.

Gjithashtu i jep përgjigje edhe Shehit, duke thënë se duhet t’i bëjë llogaritë me 9 ndeshje dhe jo me 10 të tilla në fillimin e sezonit. Ndërkohë Muçës do i mungojnë shumë tifozët në shkallët e stadiumit, ndërsa nuk nguron t’i vlerësojë bardheblutë, të cilët i quan edhe vitrinë e futbollit shqiptar.

“Sapo prekëm tapetin e blertë për ne ishte një farë çmalljeje, pasi malli ishte i madh dhe mezi e kemi pritur këtë ditë. Shyqyr të paktën na u plotësuan dhe kushtet dhe ajo e keqja e madhe sikur kaloi. Personalisht dhe kolektivisht pritshmëritë ishin të kënaqshme me rezultatet që kemi arritur, por akoma nuk ka mbaruar asgjë. Akuzat nga ekipet e tjera për stërvijtet? Nuk është aspak e vërtetë.nuk kam ç’të shtoj më tepër, është mendimi i tyre. Nuk e di se ku bazohen në këto deklarata jo vetëm të pabaza, por janë edhe dashakeqe, pasi kushtet kanë qenë të barabarta për të gjithë. Nuk më duken me vend  këto deklarata.

Të mbyll sytë dhe të ëndërroj titullin? Jo thjesht një mbyllje sysh, por ajo është ëndrra e çdo kujt, aq më tepër për vetë ecurinë që kemi pasur gjatë këtij kampionati. Sigurisht që për të arritur në atë moment që të mbyllim sytë dhe të ngrejmë kupën duhet t’i mbajmë sa më shumë hapur gjatë kësaj periudhe pasi nuk na falet që të tolerojmë apo të kënaqemi para kohe.

Pavarësisht se kapiteni Karabeci nuk ka qenë në formacion në ndeshjet e fundit, është ai kapiteni i skaudrës. Fakti që tani jam unë kapiten është sepse ai nuk është aktivizuar. Respekti për kolegët dhe për shokët e skuadrës në të tilla raste është primar. Frika për të humbur gjithçka tani që jemi kaq pranë do na bëjë ta ngrejmë titullin kampion. Nëse nuk do të kishim këtë frikë, atëherë vërtet që do gabonim rëndë.

Çdo trajner do bëjë më të mirën për të motivuar lojtarët e tij. Shehi mund t’a quajë 6 pikë larg, por unë them t’i bëjë llogaritë me 9 jo me 10 ndeshje, sepse një nuk e ka. Pika e kthimit për ne ka qenë pikërisht ndeshja e parë derbi dhe normalisht rivaliteti mes të dyja skuadrave mund të quhet disi më i lehtë. Ajo ndeshje derbi ishte vërtet lehtësim për ne dhe na ndihmoi shumë të shpreheshim në këto nivele që jemi tani. Ishte momenti i duhur, njeriu i duhur, në vendin e duhur. Egbonë e konsiderojmë si shok, pavarësisht respektit si trajner. Njohja është ajo që e bën Egbonë të veçantë.

Eksperienca më e bukur? Po e nis me Ballshin ku e kam nisur karrierën time në Superligë dhe sigurisht titulli kampion me Dinamon.

Lojtarë të veçantë Tirana ka pasur shumë, ndër ta mund të përmend Skënder Halilin dhe Ali Memën, që kanë qenë ata që na kanë udhëhequr sa i përket karrierës dhe emrit që kanë pasur në skuadrës. Marrëdhënia ime me Tiranën është e veçantë, kështu që besoj se do vazhdoj t’i shërbej këtij klubi. Tifozët mezi po na presin, por malli jonë për ta për t’i parë në shkallët e stadiumit është akoma më i madh. Tifozët e Tiranës kudo që shkojnë janë vitrinë për vetë futbollin shqiptar dhe për ne si lojtar bardheblu është fat i madh që t’i kemi ata çdo javë në shkallët e stadiumit”, ka deklaraur Gentjan Muça./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *