Pertef Rusi është një prej figurave të shquara të mjekësisë sportive. Emër i njohur për ekipet shqiptare dhe historinë e tyre, teksa ka qenë pjesë e tre ekipeve të kryeqytetit: “Dinamo, Tirana dhe Partizani”. Në një intervistë për “A2 Cnn”, Rusi ka dhënë një rrëfim vërtet interesant duke nxjerrë momentet pikante të futbollit të atëhershëm që me siguri do të ngjallë shumë kujtime të bukura edhe te tifozët të cilët do të mësojnë ngjarje që nuk i dinin se kanë ndodhur më parë.
“Ishte viti 1975, kur fituam Kupën me Tiranën. Një skuadër model që çdokush e kishte zili. Pas ndeshjes kryetari I bashkisë së Shupalit më kërkoi nëse mund t’ia sillja Kupën në shenjë respekti, por disa nga tifozët e Partizanit ma morën dhe ma thyen. Të gjithë më pyesnin: “Ore ku e çove Kupën?!” .. Stres I madh, sa i gjeta një të ngjashme me atë dhe u qetësua gjithë stafi drejtues.
Më kujtohet ndeshja, Tirana -Lushnja në stadiumin Dinamo. Në portë ishte Dash Gëzdari ndërsa përplaset me të vëllain, Mond Gezdarin. Një goditje e fortë që shtangu gjithë stadiumin. Të gjithë bërtisnin: “Hajde Tefoo shpejt”! E pash që Mondi u bë keq dhe pësoi vdekje klinike. Titi i jepte frymë në gojë dhe unë e shtypja tek zemra. Kjo duhet të behët brenda 2-3 minutave të para, nëse nuk ja del, njeriu vdes.
Tjetër moment ishte finalja Partizani-Dinamo e vitit 2009 ku arbitri nxori 2 kartonë të kuq për Dinamon. Atë ndeshje Orges Shehi theu dorën, nuk e ndjente. ‘’Më bej gjilpërë, dua të luaj’’,-më thoshte ai. Unë përpiqesha ta bindja se është më mirë të humbasësh një ndeshje sesa të rrish 6 muaj jashtë fushe. Mirëpo ai nuk donte t’ia dinte, donte të luante pasi edhe portieri në stol ishte shumë i dobët. Ja lidha dorën fortë sa nuk ndjente asgjë. Luajti Gesi shumë mirë. Në fund Abilaliaj humbi një rast vetëm për vetëm me portierin dhe humbëm 2-1 dhe vitin tjetër na nxorën në kategori të dytë…
Me Bakaj, kishim shumë probleme tek Dinamo. Nëse humbisnim, kishte ves të keq, shkonte dhe i binte xhamit. Dy tre herë ka carë arterien radiane, ikte gjaku në mur. Duhej t’ia kapja, t’ia gjeja, t’ia ndaloja. Sa herë që humbiste i shkonte gjithmonë ndonjë nga mbrapa se i binte xhamit.
Ka qenë edhe një Marko te Dinamo, një lojtar motor. Por ai vuante nga epilepsia. Ajo do të mjekohesh gjithë jetën dhe je i stabilizuar. Nëse nuk mjekohesh, kthehesh nga A-ja. Më është shtrirë njëherë në tokë, i iku gjuha keq në drekën e ekipit. E gjetëm mënyrën sesi të kalonte këtë moment të vështirë, por pastaj e la sportin.
Kukësi? Kisha vendosur një rregull. 50 euro kush nuk hante ushqimin tim. Donin të hanin me të dashurat e tyre. Zeqiri donte të hante peshk dhe supë, por nuk ma falte Gjici dhe nuk bëhesha palë me ta. Ishte Vrapi njëherë në Shkodër, u plas kokë me kokë me kundërshtarin. Trajneri kërkonte ndërrim, Vrapi thoshte: “Ore nuk kam gjë, por më gjej lenten ku është”. Unë nuk shikoja për vete, mezi ia gjetëm”, tha Pertef Rusi. /Sport Ekspres/