Tifozët e Brazilit gjejnë fajtorin, kërcënime e racizëm ndaj mesfushorit të Sitit

Në futboll shpesh ka raste kur një humbje i faturohet një futbollisti fatkeq, i cili bën një gabim në një moment të caktuar dhe ai moment mbahet mend përgjithmonë.

I ndodhi para pak ditësh mesfushorit suedez Xhimi Durmaz, i vënë nën shënjestër thjesht për faktin se shkaktoi faullin që çoi te goli i Gjermanisë në shtesë.

Historia më e bujshme është ajo e kapitenit kolumbian Andrés Eskobar, i cili shënoi autogol në humbjen 2-1 ndaj Amerikës në Usa ’94 dhe pak ditë më vonë u ekzekutua në Medejin.

Ditët e fundit është regjistruar një tjetër episod i shëmtuar, ndonëse në përmasa jo aq serioze, me mesfushorin brazilian Fernandinjo.

Futbollisti i Mançester Sitit zëvendësoi të pezulluarin Kasemiro kundër Belgjikës dhe shënoi autogolin e pafat që i hapi rrugë fitores belge.

UOL Esporte shkruan se 33-vjeçari është vënë në shënjestër nga mesazhet rasciste dhe kërcënime me vdekje në rrjetet sociale. Edhe bashkëshortja e mesfushorit, Glausia Roza, ka marrë mesazhe me ofendime për futbollistin, ndërsa nëna e tij mbylli fare profilin në Instagram, për shkak të ofendimeve të shumta.

Fernandinjo është një futbollist i pafat kur bëhet fjalë për kombëtaren, sepse ishte në fushë edhe në turpin historik 7-1 ndaj Brazilit, duke u zëvendësuar në pushim, kur Gjermania kryesonte 5-0. E përditshmja braziliane Lance shkoi deri aty sa e lidhi eliminimin nga Belgjika me numrin 17 që veshi Fernandinjo, që kujtonte humbjen 7-1 ndaj Gjermanisë, ndërkohë që duhej të vishte numrin 25 që mban te Siti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *