Ernest Muci e nisi si titullar takimin e djeshëm mes Beshiktash dhe Frankfurt në Europa League, që përfundoi në shifrat 1-3. Sulmuesi shqiptar vinte pas një kohe shumë të vështirë, mungesë aktivizimi dhe kritika të mëdha në ato pak minuta që ka marrë te Beshiktashi.
Në pjesën e parë performanca e Mucit nuk ishte më e mira e mundshme, por në të dytën kishte një rritje të madhe në nivelin e tij, teksa trajneri e la në fushë për 90 minuta duke mos e ndërruar për herë të parë. Statistikat folën qartë për një performancë të mirë të Mucit i cili dha 36 pasime nga të cilat të 36 ishin të sakta, kreu 3 driblime të suksesshme nga 5 tentativa, dha 1 asist dhe kishte 53 prekje të topit.
Por kjo nuk mjaftoi që tifozët ta duartrokisnin, madje përkundrazi, nisën ta vërshëllenin në fundin e ndeshjes kur prekte topin. Faqja e Beshiktashit i ka dalë në mbrojtje Ernest Mucit dhe Ersin Destanoglu, dy lojtarë të vërshëllyer në stadium, teksa ka publikuar foton e tyre dhe shkruan: “Ne besojmë te ju, ne ju besojmë juve. E nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja”.
Pyetja që të gjithë shtrojnë është: “Përse u vërshëllye Ernest Muçi?”. Përtej statistikave të pasimeve, shqiptari mban presionin e madh mbi kurriz si investimi i dytë më i madh që ka bërë Beshiktashi në histori sa i përket nënshkrimit me një lojtar. Për këtë arsye tifozët presin shumë nga ky lojtar, që të rrezikojë portën kundërshtare, të shënojë dhe të asistojë, përtej pasimeve të sakta të dhëna për shokët e ekipit.
E në një moment kur rezultati nuk ishte në favorin e tyre, tifozët i shfryn nervat ndaj Muçit, që në ndeshjet e fundit nuk ka qenë në formë të mirë dhe ka pasur kritika të vazhdueshme nga mediat në Turqi dhe analistët sportiv në Turqi. Fajtori kryesor që kjo situatë përfundoi në këtë pikë është padyshim trajneri i Beshiktashit, Van Bronckhorst.
Përpara se ky trajner të vinte, Muçi ishte ylli kryesor i Beshiktash. Në momentin që mbërriti ky trajner, Muçi përfundoi në stol dhe nuk po i jepej asnjë minutë aktivizimi. E duke parë situatën, trajneri kërkoi që të zhbëj disi gabimin e tij duke e lënë shqiptarin për 90 minuta në fushë pavarësisht se në stol kishte zgjedhje të tjera për ta freskuar repartin e sulmit.
Madje Giovanni Van Bronckhorst i ka dalë në mbrojtje Muçi duke thënë: “Nëse dikush mendon se nuk dhamë sot paraqitjen tonë më të mirë, se lojtarët tanë nuk dhanë sot paraqitjen e tyre më të mirë, këta njerëz nuk duhet të vijnë më në stadium. Është një situatë e pazakontë për mua, situatë e vështirë, lojtarët tanë janë vërshëllyer pasi dhanë gjithçka, ndiej emocione të çuditshme. Kishte disa sharje dhe reagime gjatë ndeshjes, unë nuk e kuptoj dhe dikush duhet të ma shpjegoj këtë pasi sot ne kemi bërë një nga ndeshjet më të mira”, tha trajneri.
Por një gjest i Muçit që bëri pas ndeshjes, i ka bërë tifozët e Beshiktash që të pendohen. Pavarësisht se u vërshëllye në mënyrë të turpshme, futbollisti shqiptar ka shkuar së bashku me shokët e ekipit për të duartrokitur tifozët e tij pas ndeshjes, të njëjtët njerëz që jo vetëm nuk e mbështetën, por i dolën kundër si të ishin tifozeria kundërshtare. Ky moment ka marrë jehonë të gjërë në rrjetet sociale dhe shumë tifozë të Beshiktash, të penduar, kanë kritikuar pjesën tjetër që gjendej në stadium dhe që kanë vërshëllyer lojtarin e Kombëtares Shqiptare. /Sport Ekspres/