E mërkurë, ftohtë, erë, por sidomos skuadra e zemrës ndodhet në një gjendje të mjerueshme! Praktikisht, 0 pikë në 8 ndeshje dhe vetëm 2 gola të shënuar. Në fund të tabelës, duke shpresuar që fati të ndryshojë. Jemi në mesjavë dhe ditën e nesërme dikush ka shkollë, dikush tjetër punë, dikush ndoshta plane… Transferta e radhës është në ishullin e Sardenjës, përballë Kaljarit.
Tifozët e Beneventos, ato më besnikët, nuk tremben: 14 orë rrugë me autobus dhe mbërrijnë në “Sant’Elia”, aty ku janë dëshmitarët e humbjes së 9-të radhazi, edhe pse fati i dënon këtë herë… Megjithatë, kthehen në shtëpi sërish të motivuar, për të qenë prap në shkallët e stadiumit. Sepse, të bësh tifo për ngjyrat e ekipit të zemrës nuk është pasion me interes, por një dashuri që lind me ty…