Për kapitenin e bardhekuqve, në Kamzë skuadra nuk ishte aq agresive sa duhet, por i mungoi edhe fati. Portieri thekson se ai barazim është lënë pas
Leonard Trebicka
Pas Bledi Shkëmbit, i cili i dha lamtumirë dy sezone më parë Skënderbeut, një tjetër ikonë e këtij ekipi është portieri dhe kapiteni Orges Shehi. Pesë ditë më vonë ai mbush 40 vjeç, por vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të Skënderbeut. Dje “gardiani” i portës korçare ka analizuar barazimin në Kamzë, që në fakt është cilësuar si humbje në ambientet sportive në qytetin juglindor. Të gjithë prisnin trepikëshin dhe për durrsakun Shehi ai barazim erdhi për disa arsye. Kapiteni veçon mungesën e agresivitet në fushë, por edhe mungesën e fatit. Ja intervista e plotë e Shehit:
– Shehi, Skënderbeu u ndal në barazim nga Kamza. Si e gjykoni këtë rezultat?
– Sigurisht, ishte një ndeshje që duhej ta fitonim dhe për këtë shkuam edhe në Kamzë. Nuk ishim ekipi që pritej në fushë dhe dua të veçoj faktin se nuk ishim agresivë. Nëse do të kishim bërë mirë gjithçka, sot do të ishim në krye, me 6 pikë. Tani Kamza për mua dhe për shokët e skuadrës është një kapitull i mbyllur. Po mendojmë për ndeshjet e tjera, pasi asgjë nuk kthehet prapa.
– Ndoshta Skënderbeu e nënvlerësoi kundërshtarin?
– Jo, nuk besoj se ndodhi një gjë e tillë. E theksova, nuk ishim agresivë në fushë. Pas golit të pësuar reaguam dhe krijuam disa raste, pavarësisht se kohë nuk kishim shumë. Por nuk patëm edhe fat, që të dilnim me 3 pikë nga Kamza.
– Po lodhja, a ndikoi në atë ndeshje, pasi ju luani në 3 kompeticione?
– Edhe kjo nuk ndikoi. Në asnjë moment nuk ishim të lodhur, pasi dominuam dhe miqtë shumë pak na u afruan në zonën tonë. Bëmë presion dhe e mbajtëm kundërshtarin larg. Skuadra ishte e freskët dhe dominimi është një tregues jo i vogël. Mendoj që më mirë ta harrojmë Kamzën, të mos flasim më për të.
– Tani është radha e Partizanit dhe më pas Kukësi. Një “malore” për ju…
– Për ne çdo ndeshje vlen tri pikë. Edhe Kamza vlente njësoj, por ja që ka edhe hapa të gabuar. Nëse një skuadër do të ishte perfekte në çdo ndeshje, titulli mbyllej që në dhjetor. Nuk ka rëndësi kë do të kemi përballë, pavarësisht se do të jetë Partizani kundërshtari i radhës. E rëndësishme është që në fushë të kemi një “marsh” më shumë. Nuk mund të “qajmë” atë që ikën, sepse nuk vlen një gjë e tillë. Shikojmë vetëm përpara dhe tani flasim vetëm për Partizanin.
– Skënderbeu e ka detyrim rikthimin te fitorja, pasi luan edhe para tifozëve të tij. Sa ju ndihmon ky fakt?
– Ndaj Partizanit do të futemi vetëm për fitore në fushë. Kemi kohë për ta përgatitur këtë 90-minutësh dhe shpresojmë ta arrijmë objektivin. Tifozët patjetër që do të na ndihmojnë në këtë objektiv.
– Skënderbe ka 4 pikë, kurse të kuqtë vetëm 1 pikë…
– Nuk ka rëndësi ky fakt. Janë luajtur vetëm 180 minutat e para dhe është shumë shpejt për të folur për pikët. Me Partizanin do të kërkojmë të bëjmë detyrën, aq më tepër që luajmë në shtëpi, ku sigurisht nuk na lejohet asnjë hap i gabuar.
– Pas të kuqve vjen radha e Kukësit, tjetër ndeshje e ëvshtirë?
– Të flasim për Partizanin, sepse kjo është ndeshja e radhës. Skënderbeu e ka të ngarkuar kalendarin, por, nëse nuk i marrim një e nga një ndeshjet, do të bënim gabim.
– Keni edhe ndeshjen e Europa League me Jang Bojs në “Elbasan Arena”. Si e mendoni?
– Nga njëri kompeticion te tjetri, ndryshon gjithçka. Në Europë janë vetëm 6 takime dhe ne njërin e kemi luajtur. Kemi objektiv të mbledhim sa më shumë pikë dhe ndaj Jang Bojs do të luajmë për të marrë më të mirën. Koha është e shkurtër në kaq pak ndeshje, ndërsa në Superiore barazimin e fundit do ta rikuperojmë rrugës.
– Shehi, duke parë këto dy javë, si ju duket ky kampionat?
– Do të jetë garë e fortë deri në fund, por është shumë shpejt të flasim me detaje. Të kalojë faza e parë dhe atëherë do të ndahen skuadrat që luftojnë për kreun. Të përqendrohemi 100% te Partizani.