Luka Modriç, Muhamed Salah, apo Kristiano Ronaldos? Gjithçka do të zbardhet sot pasdite se kush do të fitojë çmimin “The Best FIFA 2018”, në ceremoninë që do të mbahet në “Royal Festival Hall” të Londrës. Mesfushori kroat është favoriti kryesor për t’u shpallur lojtari më i mirë i vitit sipas FIFA-s dhe ky mund të jetë shkaku që Kristiano Ronaldo nuk do të marrë pjesë në ceremoni, ashtu siç bëri disa javë më parë në ceremoninë e çmimeve të UEFA-s.
Në atë rast, portugezi nuk njoftoi për mungesën e tij, ndërsa këtë radhë ka konfirmuar mungesën, me justifikimin që është i përqendruar te ndeshjet e mesjavës me Bolonjën dhe në fundjavë përballë Napolit.
Pjesë e treshes kandidate për të fituar “The Best FIFA 2018”, nuk është Leo Mesi për herë të parë, por argjentinasi konkurron për “çmimin Pushkash”, që i jepet golit më të bukur të shënuar në kompeticionet e FIFA-s. Ylli i Barcelonës konkurron me golin e shënuar kundër Nigerisë në Botërorin e Rusisë, por ai do të jetë një tjetër mungesë e madhe e ceremonisë së Londrës. Mesi justifikoi vendimin e tij “për motive personale”, siç citon “El Mundo”.
FIFA do të ndajë dhe çmimet e futbollistes femër më të mirë, trajnerëve më të mirë për të dyja gjinitë, portierit më të mirë dhe tifozërisë më korrekte. Zinedin Zidan është favorit për çmimin e trajnerit më të mirë, i cili kandidon me Deshampsin e Francës dhe Daliç të Kroacisë.
Tibo Kurtua, Hugo Loris dhe Kasper Shmajkëll kandidojnë për portierin më të mirë, ndërsa për golin më të bukur konkurrojnë: Kristiano Ronaldo me golin e shënuar përballë Juventusit në Champions, Garet Bejl me golin e shënuar në finale përballë Liverpulit, ndërsa kandidatë janë dhe Leo Mesi, Denis Çerishev, Bnexhamin Pavard.
Votimet kryhen nga kapitenët dhe trajnerët e kombëtareve, që përbëjnë 50% të votave, ndërsa pjesa tjetër varet nga votimet online dhe votimet e një grupi të përzgjedhur mediesh nga 200 vende të ndryshme të botës.