Kristal Abazaj ishte i ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora Neës” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari. Sulmuesi i Tiranës la mbrapa një tjetër dëmtim, ndërsa ka folur për karrierën e shkuar dhe situatën e tanishme te klubi bardheblu, që pret të kurorëzojë titullin tjetër kampion.
“Shehi po mundohet që të na heq presionin. Ai e di se çfarë do të thotë të luftosh për kampion, e ka fituar 5 herë rresht me Skënderbeun. Kalova një dëmtim të çuditshëm së fundmi, jam ende larg formës time më të mirë, por unë po mundohem që të jap më të mirën dhe t’i jap një dorë Tiranës për titull pasi për këtë arsye jam këtu.
Derbi me Partizanin? Nga eksperienca që unë kam, kur fituam titullin edhe me Instabulsporin, më të rëndësishme janë këto ndeshjet “e vogla” sesa derbi. Ka edhe një muaj kohë deri atje, por nuk besoj se duhet ta kemi në mendje diçka të tillë, duhet të fitojmë ndeshjen e radhës.
Unë dua të falënderoj presidentin për besimin që më dha, dua të falënderoj tifozët e Tiranës. Janë treguar shumë të durueshëm me mua se kam kaluar dëmtimin, por në Shqipëri nuk durojnë zakonisht. Dua të falënderoj edhe trajnerin Shehi se e lashë në baltë në këto momente, jo nga qejfi, por nga halli se isha i dëmtuar.
Kur erdha te Tirana, disa mund të kenë thënë që Abazaj bëri një hap mbrapa. Në fakt për mua është një trampolinë kjo për të shkuar në Europë, është një hap mbrapa për të bërë dy ose tre hapa përpara. Tani që ndodhem këtu e kuptoj se Tirana është klubi më i madh në Shqipëri. Duam të fitojmë titullin dhe të përfaqësohemi denjësisht në Europë, kemi Osmanin dhe Shehin që kanë eksperiencë nga e kaluara”, tha Abazaj. /Sport Ekspres/