Sebino Plaku ndërpreu kontratën e tij me Kastriotin për t’ju bashkaur Teutës, një skuadër që këtë sezon ka shpallur kandidaturën për titull kampion. Sulmuesi i njohur tregon në një intervistë me gazetarin Drilon Xhepollari në “Sport Magazine” se një kalim në Durrës e kërkoi që në verë, për këtë arsye insistoi të linte krutanët për t’ju bashkuar ekipit të Edi Martinit.
Futbollisti 35-vjeçar thekson se lëvizjet në janar nuk lënë vend për pretendime të mëdha, por është i vendosur për të ndihmuar bregdetarët në objektivat që kanë këtë sezon. Më tej Plaku ndan me të gjithë edhe emrin e mbrojtësit që i ka hapur më shumë telashe në Superiore, ndërsa në fund prek edhe temën e supersticionit para ndeshjes.
Largimi nga Kastrioti
“Ishte një vendim që u mor nga të dyja palët. Por mbi të gjitha me insistimin tim sepse që në verë kam qenë i interesuar për të shkuar te ekipi i Teutës. Nuk u realizua atë kohë dhe unë doja shumë të realizohej në këtë periudhë për vetë faktin për situatën që po kalon Teuta që ka, po e quajmë, objektiva madhore”.
Tetua e duhura për të shfaqur potencialin?
“Po. Mendoj se po. Prandaj dhe ka qenë insistimi im shumë i madh. Në këtë rast u realizua falë presidentit të Teutës, Hasanbelliu dhe për këtë e falënderoj sepse ishte një moment që unë e doja shumë këtë ndryshim. Më ka rastisur të lëviz shpesh në janar. Në momentin që një lojtar shkon në janar në radhë të parë duhet të pranojë grupin dhe situatën që po kalojnë. Mos të pretendojë që unë do ta bëj ndryshimin. Shkoj aty për t’i dhënë një dorë më tepër grupit dhe për të shkrirë eksperiencës. Nuk pretendoj shumë, për vetë faktin se ata kanë grupin shumë të mirë”.
Ndikimi i eksperiencës
“Njeriu kalonka shumë etapa të jetës. Edhe unë kam qenë i ri dhe e shikonim futbollin ndryshe. Mendoja se çdo gjë e kisha nën kontrollë, ndërkohë nuk e dija si funksiononte futbolli atëherë. Kjo ndërlidhje është e mirë te Teuta. Ka lojtarë aty që e kanë provuar në lëkurë pjesën e të dalurit kampion, apo vështirësitë dhe presionin e lartë që të jep futbolli. Është një avantazh për të gjithë lojtarët aty, si për të rinjtë edhe për ata në moshë, sepse edhe ne kemi nevojë për energji të re dhë për një ambient ku kanë dëshirë të flasin për futboll”.
Partneri ideal
“Ndoshta ekipi kishte nevojë për një lojtar që ti përshtatej këtij sulmi, Krasniqit. Do të jetë një dyshe e mirë nëse do të shtohesha aty”.
Mbrojtësi më i fortë
“Një ndër mbrojtësat që ka pasur impakt te unë ka qenë Dabulla. Më ka ngelur në mendje impenjimi që kishte ai. I paparashikueshëm dhe shumë agresiv. E kam pasur kundërshtar shpesh, por e provova edhe kur e kisha në ekip te Tirana. Në Poloni ishte tjetër situatë. Atje ishin mbrojtësa pak a shumë të të njëjtit stil. Shumë agresivë, shumë të fuqishëm, por më të lehtë të kalueshëm. U mungonte inteligjenca. Futbolli në Shqipëri tashmë është bërë më i rafinuar. Nuk driblohet dot më si më parë“.
Supersticion para ndeshjes
“Çdokush ka ritualet e veta. Sidomos sporti të bën më supersticioz, sado që nuk u besoj shumë këtyre bestytnive. Jam munduar ta luftoj shumë këtë pjesë. Përpara ndeshjes primare është të jem i qetë mendërisht. Ajo është e vetmja gjë që më bën të jem më i kthjellët. Në momentin që kam konfuzion në kokë, kjo është lufta që kam me veten. Në momentin që futesh në orët e fundit para ndeshjes është e vështirë të mendosh kthjellët, sepse ka goxha adrenalinë dhe emocion”, ka deklaruar Sebino Plaku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/