Mbrojtësi 18-vjeçar nënshkruan dhe vihet nën urdhrat e Maganit, rikthehet dhe portieri Vata, pas huazimit tek Laçi
Arbër Beqaj bëhet afrimi i dytë zyrtar i Teutës. Ashtu siç ishte lajmëruar prej dy javësh nga “Sport Ekspres”, 18-vjeçari ka hedhur të zezën mbi të bardhë ditën e djeshme. Pas Ante Hrkiç, Beqaj është prezantuar zyrtarisht nga drejtuesit e klubit durrsak. Trajneri Gugash Magani i njeh mirë aftësitë e mbrojtësit, pasi e ka pasur pjesë të skuadrës në kohën kur drejtonte Flamurtarin. Sezonin që shkoi, mbrojtësi i djathtë u aktivizua në 15 ndeshje, 12 prej tyre si titullar. Me ardhjen e trajnerit Duro në Vlorë, Beqaj e humbi vendin e titullarit, duke u detyruar të shihte për një tjetër mundësi. Dhe me ofertën nga “djemtë e detit” nuk u mendua dy herë. Në të djathtë të mbrojtjes, trajneri peqinas u detyrua shumë herë gjatë sezonit të fundit që të përshtaste Hodon apo Beqjan në këtë pozicion.
VATA – Me skuadrën durrsake është bashkuar dhe portieri 19-vjeçar Elton Vata. Kuksiani, i cili është aktivizuar gjatë sezonit të fundit me skuadrën e Laçit, është rikthyer te durrsakët, pasi i ka përfunduar periudha e huazimit. Me kurbinasit, Vata u aktivizua në tre takime, konkretisht me Kukësin, Skënderbeun dhe Teutën. Performanca e mirë e treguar jo vetëm me skuadrën e parë, por dhe me 19-vjeçarët, i ka bindur drejtuesit durrsakë që ta kenë në planet e sezonit të ardhshëm.