Tirana pësoi disfatën e parë nën drejtimin e Egbosë në javën e 29 të Superiores kundër Teutës së Martinit. Fitoret nuk mund të vazhdonin pafundësisht dhe këtë e dinë mirë të gjithë në kampin bardheblu, që tani më shumë se kurrë duhet të tregohet i kujdesshëm për të mos lënë më tepër pikë nëse dëshirojnë që fundi i kampionatit t’i gjejë me titullin kampion në duar.
Gazetari i njohur sportiv, Dritan Lundra ka komentuar ndeshjen e fundit të Tiranës si dhe luftën e hapur për titull, që sipas tij do i ndjekë deri në takimin e fundit. Në një prononcim për “Syri TV“ me gazetaren Enkeleida Zeko, Lundra thekson se Teuta-Tirana ishte ndeshja më e bukur që ka parë, ndërsa një humbje e tillë pritej.
“Së pari mendoj që Tirana me Teutën nuk hodhi një hap fals, pasi 17 ndeshje pa pësuar humbje janë shumë. Do vinte një ditë që Tirana do humbte. Është ndeshja më e bukur që kam parë, sidomos nga ana e Teutës. Tirana e ka vetë në dorë gjithçka, por deri në fund do të jetë një sfidë e hapur mes Tiranës dhe Kukësit. Përveç Flamurtarit, që ka rënë nga kategoria dhe normalisht është dorëzuar, të gjitha ndeshjet për Tiranën dhe Kukësin do të jenë të vështira”, është shprehur Dritan Lundra./Halit Delibashi-Sport Ekspres/