Teuta ka nisur përgatitjet ditën e hënë dhe nën urdhrat e trajnerit Bledi Shkëmbi janë vënë edhe dy sulmues, Mustafa Xhixhiua dhe Bubakar Traore. I pari është i njohur në vendin tonë, pasi ka luajtur me Partizanin dhe Erzenin, kurse i dyti vjen nga Malta. Në të shkuarën ka qenë pjesë e moshave të Torinos.
Sot ai ka arritur të shënojë një gol në fitoren 4-0 që durrsakët regjistruan me ekipin e të rinjve. Autorë të golave të tjerë ishin Vila, Shkalla dhe Avdyli. Ky i fundit është afruar në merkaton e verës nga Liria e Prizrenit.
Pritet që në ditët në vijim të mbyllet merkatoja dhe më pas ekipi të niset drejt Italisë, ku edhe do të kryejnë fazën përgatitore. Gjithashtu në vendin fqinj do të zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore.