Teuta në testin e forcës, s’i falet një tjetër gabim  

Durrsakëve u nevojiten 3 pikët ndaj të kuqve që të konfirmojnë pretendimet e sezonit. Një tjetër hap i gabuar në shtëpi do të ishte i pafalshëm

Vladimir Prenga

Teuta i bëri një nisje të mirë kampionatit, por në dy ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një pikë, atë ndaj Kamzës në transfertë, ku ishte shumë pranë fitores, po të mos kishte qenë për një penallti të shkaktuar nga Hrkaç në fund të takimit. Ndërkohë që humbja e javës së tretë me Flamurtarin ishte ajo që i prishi e llogaritë skuadrës së drejtuar nga Gugash Magani, që tashmë është me “këmbë në tokë” dhe për të konfirmuar objektivin për t’u renditur në tre vendet e para duhet të fitojë me Partizanin, një rival i drejtpërdrejtë për kreun.

Trajneri Gugash Magani është nga ata që vlerëson çdo detaj të një ndeshjeje dhe absolutisht nuk i beson krizës së Partizanit, aq më shumë të lejojë skuadron e tij të mendojë se është favorite. Shprehja e tij e zakonshme, për të hyrë në fushë si ushtarë dhe për të dalë si gjeneralë është shumë koherente me situatën te Teuta, ndaj tekniku peqinas pret një skuadër që do të jetë e vëmendshme në çdo moment dhe që do të kërkojë gjatë gjithë kohës ta fitojë ndeshjen. Kualitetet që ka Partizani nuk lejojnë askënd në Durrës ta shohin si një ndeshje të lehtë, ndaj pritet një sfidë tejet e luftuar.

ÇYRBJA-OSEMENE
Sulmuesi nigerian Onieka Osemene nuk është gati as për ndeshjen me Partizanin. 22-vjeçari mungoi ndaj Kamzës dhe për trajnerin Magani nuk është aspak një lajm i mirë, sidomos duke ditur pritshmëritë që kanë në Durrës për sulmuesin, i cili në kampionat nuk ka mundur dot të gjejë rrugën e rrjetës në tri ndeshjet e para ku është aktivizuar. Osemene ka një problem me tendinat që e la jashtë edhe këtë javë. Mbetet për t’u parë gjendja e tij në vijim për t’u mësuar se kur do të jetë i gatshëm.

E ndryshme situata për mesfushorin Arbër Çyrbja. Autori i golit të fitores me Vllazninë pësoi një dëmtim ndaj skuadrës së Tërbunit në Kupë dhe gjatë kësaj periudhe ka kryer terapi intensive për t’u rikuperuar, si dhe ka punuar me skuadrën. Mesfushori 24-vjeçar është grumbulluar për këtë takim dhe me shumë mundësi do ta nisë si titullar. Gjithsesi gjithçka do të vendoset sot para ndeshjes.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *