Me Vllazninë kërkohet vazhdimësia, performaca e iranianit Reza Karim ngroh durrsakët
Fitorja me Luftëtarin duket se e ka kthyer qetësinë në Durrës. Pas shumë javësh skuadra e Gugash Maganit u rikthye te fitorja, e cila kishte një vlerë shumë të madhe pasi skuadra u çlirua psikologjikisht. Ishte vetë trajneri i “djemve të detit” që e cilësoi si shumë të rëndësishëm fitoren në Gjirokastër. Megjithatë, ajo fitore është lënë pas krahëve dhe tashmë synohet vazhdimësia. Sot në orën 17:00 në “Niko Dovana” Teuta do të presë Vllazninë në një ndeshje mjaft interesante. Me përkrahjen e tifozëve, bregdetarët do të kërkojnë fitoren e dytë që të rikthehen në rrugën e duhur. Me Vllazninë skuadra është e plotë, pas rikthimit të Hilës, i cili ishte i pezulluar për shkak kartonësh.
SULMI – Në ndeshjen me Luftëtarin, tekniku Magania mori përgjigje shumë pozitive nga sulmi. Karimi, Osomene dhe Latif i japin besimin se të besuarit e tij do të bëjnë morë dhe përballë shkodranëve. Ai që spikati më së shumti ishte iraniani Reza Karim. i huazuar nga Skënderbeu, 19-vjeçari duket se po gjen ritmin në Durrës dhe mund të kthehet në një pikë referimi në krahun e majtë.
Së bashku me ganezin Latif “gatuan’ golin e parë në Gjirokastër, duke treguar se bashkë mund të bëjnë akoma më mirë. Sinjale pozitive dhe nga ana e nigeriani Osomene. Edhe pse e nisi nga stoli, me minuta që pati në dispozicion i dha një impuls lojës. Me mbështetjen e Dediç sulmi duket se është kthyer në pikën më të fortë te durrsakët.
Formacioni i munshëm i Teutës (4-4-1-1)
Kastrati – Beqja, Hërkaç, Sykaj, Hakaj – Çyrbja, Lena, Hila, Karimi – Dediç – Latif