Milinkoviç: Dështim po nuk fituam me Partizanin

Tekniku serb: Nuk ka çështje Alla te Kukësi, ultimatumi nuk ekziston këtu, vetëm objektivat. Filozofia e Kukësit i pengon disa lojtarë të tregojnë veten

Jurgen Zela

Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, para ndeshjes së javës së 11-të. Krahas ndeshjes me Partizanin, tekniku serb ka prekur dhe disa tema të tjera, teksa ka komentuar situatën me disa lojtarë, por dhe presionin te skuadra e Kukësit, duke vënë theksin te fakti se në Kukës flitet vetëm për objektiva dhe asgjë më shumë. Takimi me Partizanin? Vetëm fitore!

BARAZIMI I TRETË – “Barazimi i tretë që ekipi merr, është diçka që dhe na shqetëson, aq më tepër kur në dy ndeshjet e fundit kemi qenë në avantazh dhe u barazuam. Na shqetëson po ashtu dhe fakti se kemi shënuar nga një dhe nga dy gola në transferta dhe sërish nuk kemi fituar. Gjithsesi, nuk është vetëm puna se gabojmë, por humbasim dhe raste të pastra shënimi. Me Kamzën kishim dy raste të pastra shënimi në pjesën e parë. Është ndryshe të jesh në avantazh me një gol dhe ndryshe të jesh me dy gola. Më shqetëson po ashtu fakti se nuk kemi të njëjtin ritëm në 90 minuta. Edhe me Kamzën për 50 minutat e para besoj se luajtëm mirë, kishim një kohë të vdekur për afro 20 minuta dhe pas shënimit të golit përsëri filluam të krijonim presion te kundërshtari. Një ekip që do të shpallet kampion duhet të ketë ritëm për 90 minuta dhe të shënojë”.

TRYSNIA – “E kam thënë që në fillim të kampionatit: trysninë nuk na e jep askush, por na i japin vetë rezultatet. Nuk ka pse të ndjehemi në trysni as nga presidenti dhe as nga askush tjetër. Gjithmonë kur nuk ka rezultate pozitive, i pari që vë veten në trysni jam unë, pasi faji më takon mua. Unë jam ai që vendos për formacionin dhe që mban ritmin e lojtarëve. Kur nuk ka rezultate atëherë fajtori jam unë. I pari jam unë më pas vinë lojtarët”.

GOLAT ME KAMZËN – “Ju nuk shihni të gjithë aksionin, por vetëm momentin e fundit. Nëse e shohim golin e dytë është një vendosje e gabuar e mesfushës. Një lojtar i mesfushës nuk ishte në pozicionin e tij, më pas u detyrua që një tjetër mesfushorë të linte pozicionin e tij, më pas erdhi krosimi dhe Ethemi nuk e ndoqi dot Plakun. Ju shihni vetëm që Ethemin që nuk ndoqi Plakun, ndërkohë që gabimi ishte më parë. Këto gabime ndodhin, pavarësisht se nuk finalizoheshin të gjitha”.

ALLA – “Është absurde që të thuash se Alla është i dënuar, apo kemi lojtarë në ultimatum. Janë gënjeshtra. Ne zgjodhëm që të luajë Hoxha, pasi e dinim se do luante Raçiç. Donim që të luanim me dy lojtarë të fortë në luftën në ajër, ndaj u preferua Hoxha dhe jo Alla”.

SHTUBINA – “Ne e shohim ndryshe nga ju lojën. Ne kishim në lojë 4-5 lojtarë sulmues. Me Vllazninë nuk funksionojë kjo skemë dhe nuk mund të fusnim më sulmues, por na duhej mesfushorë, pasi ata kanë lojtarë të shpejtë si Fukui dhe Plaku”.

PARTIZANI – “Partizani është Partizani, si kur ka rezultate pozitive, po ashtu dhe kur ka rezultate negative, ndaj nuk duhet nënvlerësuar. Është një ndeshje derbi. Dua që dhe lojtarët të kenë këtë mendim. Ne jemi favorit pasi luajmë në shtëpinë tonë dhe duam fitore pas tre barazimeve radhazi”.

BARAZIMI DËSHTIM – “Po, është dështim që të mos fitosh në ndeshjen e katërt. Kur thua që do të marrësh fitoren në çdo ndeshje dhe nuk e arrin në katër ndeshje radhazi, atëherë është dështim.

MUNGESA E BAKAJT – “Ne nuk kemi Bakajn, ata nuk kanë Bathën. E rëndësishme është që dhe ne do të luajmë me 11-të dhe jo me 10-të”.

SHANSI I FUNDIT PËR TITULL ME PARTIZANIN – “Besoj se do të luajmë mirë dhe nëse luajmë mirë do të fitojmë. Besoj se 4 barazime rresht janë shumë për një ekip që pretendon titullin kampion”.

DEKLARATA E PRESIDENTIT PËR ULTIMATUMET – “Varet se si shihet ultimatumi, pasi ka dy anë. Edhe këtu e njëjta gjë është. Nuk është çështje ultimatumi. Kur një trajner ose një lojtar nuk jep atë që duhet të japë në punën e tij apo në fushën e lojës atëherë është e natyrshme që duhet të largohet. E patë dhe Ançleotin, u largua nga Bajerni, pasi nuk arriti rezultatet që priteshin prej tij. Kur nuk ecën mirë është e natyrshme që të largohesh. Ka lojtarë te Kukësi shumë të mirë, por filozofia e ekipit nuk i lejon që të shprehen. Kemi Kalenë, sezonin e shkuar ishte alternativë ndërsa tani është titullar dhe luan shumë mirë. Sa herë ulemi me presidentin dhe vendosim objektiv se duhet të marrim 6 pikë, nuk është ultimatum. Kjo është synim për të arritur. Deri më tani kishim 4 ndeshje 4 fitore. Nëse do të ishte ultimatum atëherë do të kishim ikur në shtëpitë tona, ashtu si dhe 2-3 lojtarë. Objektivi është tjetër dhe ultimatumi tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online