Pas Elhan Kastratit, një tjetër portier i Teutës ështe gati të bëjë hapin e madh dhe të transferohet në Itali. Bëhet fjalë për 18-vjeçarin, Arlis Shala.
Destinacioni i talentit të ri është Çezena, klub që pas falimentimit do të rinisë pjesëmarrjen nga Seria D italiane. Portieri pritet të transferohet te ekipi italian si një dhuratë për sezonin e ri.
Sipas “Sport in Romagna”, Shala pritet te zbarkojë gjatë javëve të ardhshme te Çezena. Transferimi do të kryhet me ndihmën e Fiorentinës, me gjigandët e Serisë A që interesohen prej muajsh për lojtarin.
Duke qenë se “vjollcët” nuk mund ta afrojnë drejtpërdrejt portierin, ata do ta kalojnë te Çezena, aty ku Shala do të ketë mundësi të luajë dhe të rritet si lojtar. “Gardiani” është edhe pjesë e përfaqësueses së 19-vjeçarëve dhe në Itali besojnë te potenciali i tij.