Milani tashmë është në duart e fondit të investimeve Elliott. Sipas “Il Sole 24 Ore”, pronari aktual i Milanit, Jonghong Li, nuk ka arritur asnjë marrëvshje me pronarin e Monakos, Dmitri Ribolovlev, i cili kishte shfaqur interes për të blerë aksionet e Milanit kohë më parë. Me sa duket, Ribolovlev nuk ka pranuar të futet në një valle tepër të ndërlikuar dhe të errët, pasi Li shpresonte të mbante pronësinë e klubit dhe kërkonte aksioner pakice.
PO TANI?
Praktikisht gjithçka ka marrë fund për Jonghong Li, sepse ka shkelur afatin për të paguar këstin prej 32 milionë eurosh nga borxhi që i ka fondit Elliott dhe sipas marrëveshjes, kjo bën që Milani të kalojë automatikisht në pronësi të Pol Singer, themeluesit të fondit Elliott. Tashmë Singer duhet të vendosë ç’të bëjë, sepse natyrisht nuk ka ndërmend të mbajë kontrollin e Milanit dhe i duhet ta shesë, me shumë gjasa tek i vetmi biznesmen realisht i interesuar, italo-amerikani Roko Komiso, i cili e ka bërë prej kohësh ofertën e tij për të marrë mundësisht gjithë aksionet e klubit kuqezi.