Skuadra e drejtuar nga Gugash Maganit i ka shënuar Tërbunit vetëm në 10 minutat e fundit. Një penallti i çon më tej “Djemtë e Detit”
Humbja e fundit e pësuar ndaj Flamurtarit duket se ka lënë në njëfarë mënyre pasoja te Teuta, që në ndeshjen e djeshme ndaj Tërbunit e ka zgjidhur kualifikimin vetëm në fund të ndeshjes. Humbja 1-0 e pësuar në Pukë dy javë më parë bënte që durrsakët të hidheshin në sulm që në fillim, pasi u duhet një fitore me dy gola diferencë. Kjo nuk ishte aspak e lehtë, pasi Tërbuni luajti gjithë kohës i tërhequr prapa, por mund edhe të kishte shënuar në dy momente në pjesën e parë me Hoxhajn dhe Saliajn. Sigurisht që Teuta arriti të dominonte në lojë, por goli nuk po vinte, çka solli edhe tension. 45 minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura dhe Teuta u hodh në sulm për të gjetur golin e avantazhit. Trajneri Magani hodhi në fushë edhe Osemenen, Vilën e Peqinin, duke shtuar forcat sulmuese në fushën e blertë. Për të ardhur goli duhej pritur minuta e 81-të dhe ishte sulmuesi Latif Amadu ai që shënoi për Teutën. Sulmet u intensifikuan derisa erdhi edhe penalltia në favor të vendasve për një pengim të sulmuesit Peqini. Miqtë kontestuan, por për arbitrin kryesor nuk kishte dyshime. Nga pika e bardhë kapiteni Lena u tregua i saktë dhe me golin e shënuar “vulosi” shifrat 2-0. Me këtë rezultat Teuta kalon në raundin tjetër, ku do të përballet me ekipin që do kualifikohet nga Kamza-Iliria.
MAGANI – Pas ndeshjes, tekniku peqinas i Teutës, Gugash Magani, e pranoi se kualifikimi ishte shumë i komplikuar. “Ishte një ndeshje tepër e vështirë ndaj një kundërshtari që gjatë gjithë kohës ka menduar vetëm për mbrojtjen. U munduam ta gjenim golin me të gjitha mënyrat, por ishte e pamundur”, tha fillimisht Magani për mediat, ndërkohë që më tej u tregua i sinqertë, duke thënë se nuk e kishte pritur ta kishte kaq të vështirë. “Të them të drejtën nuk e kisha menduar kaq të vështirë. Pas atij dominimi në pjesën e parë, mendova se do të shënonim në të dytën, por goli nuk po vinte. Në këtë mënyrë presioni u rrit dhe gjithçka po bëhej më e vështirë. Gjithçka e zgjidhëm në fund, por ishte një kualifikim shumë i mundimshëm. Eliminimi? Kupa është objektivi ynë dhe do të ishte dramë nëse nuk do të ishim kualifikuar”, përfundoi Magani.
Teuta – Tërbuni 2-0
Shënues: Latif 81’, Lena 89’ (pen.)
Teuta: Moçka, Beqaj, Sykaj, Shkalla, Lika (Osemene 75’), Dediç, Lena, Çmajçanin (Peqini 75’), Çyrbja (Vila 47’), Shehaj, Latif. (Në dispozicion: Kastrati, Shehi, Oluasina, Bilali). Trajner: Gugash Magani
Tërbuni: Mehidri, Shytani, Beci, Balaj, Zagani (Janot 84’), Hasaj, Pepaj, Saliaj, Shaba, Blinishta, Hoxhaj (Lekaj 73’). (Në dispozicion: Rexhepi, Dallnesi, Prendi, Rrustemaj, Uska). Trajner: Kreshnik Krepi
Gjyqtarë: E. Durmishi, E. Shehu, Xh. Mani, A. Stolaj