Tërbuni merr pagat dhe befason Teutën

Gani Pema

Ndeshjen e parë zyrtare, ekipi i Tërbunit, e nisi me uniformën e re, skuadra mori rrogat dhe mundi Tëutën në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë.

Në stadiumin e “Ismail Xhemali” ishte një atmosferë e mjaft e bukur ku të gjithë tifozët, u larguan të kënaqur nga kjo sfidë. Në minutën e 2-të ekipi i Teutës ishte shumë afër golit me autor Shehajn, por portieri Rexhepaj pret sferën. Pas këtij aksioni nga Teuta, ekipi i Tërbunit bëri shumë aksione të rrezikshme dhe gjuajtje në portë, por portieri kundërshtar u tregua shumë i vëmendshëm dhe u mohoi golin vendësve. Në minutën e 25-të Shaba fiton një njëmbëdhjetë metërsh. Penalltinë e ekzekuton Leka, por portieri pret portieri Moçka. Vila dhe Shkalla krijojnë raste të rrezikshme përpara portës pukjane, por Rexhepaj tregohet i gatshëm. Vjen minuta e 35-të. Shaba merr një top nga Lekaj dhe ai brenda zonës gjuan fort dhe sfera pushon në krahun e djathtë të portës së Teutës. Stadiumi i gjithi në entuziazëm. Pjesa e parë mbyllet në favor të pukjanëve, ndërsa në pjesën e dytë trajnerët nisin të zëvendësojnë futbollistët. Gjatë 45 minutëshit të dytë Teuta u mundua të barazonte rezultatin, me sulme e kundërsulme, por mbrojtja pukjane nuk lejoi asnjë kundërshtar për të gjuajtur brenda zone, portën dhe për të shënuar gol.

Nimani në minutën e 89-të kishte një mundësi për të shënuar golin e dytë, por portieri Moçka nuk e lejon këtë gjë. Kështu Tërbuni merr një fitore të merituar në Kupën e Shqipërisë edhe pse synimi i pukjanëve është vetëm kampionati.

E mërkurë 13 shtator 2017

Ora 16:15, stadiumi “Ismail Xhemali”

Tërbuni Teuta        1-0

Shënues: Shaba 35’

Tërbuni: Rexhepaj, Rrustemaj (Shytani 67’), Beci, Balaj, Prendi, Lekaj, Mezini, Janot, Saliaj (Taku 71’), Shaba (Pepa 85’), Nimani. Trajner: Kreshnik Krepi

Teuta: Moçka, Lika, Shkalla, Shehi, Becaj (Abe 38’), Bilali, Cmajcanin (Çyrbja 55’), Vila, Lajthiaj (Dosti 62’), Shehaj, Latif. Trajner: Gugash Magani.

Gjyqtarë: K.Prenga, E.Veseli, E.Çuni, F.Pjetrushi

Kartonë të verdhë: Prendi, Shaba / Lika

Krepi: Mundëm një ekip të madh, por dua pikë në Lezhë

Trajneri Kreshnik Krepi u shpreh shumë i lumtur pas ndeshjes. Fitorja kundër Teutës e ka gëzuar trajnerin e pukjanëve. Krepi ka pranuar se gjërat po shkojnë mirë, por synimi i skuadrës mbetet Kupa e Shqipërisë. “Jam tepër i kënaqur nga paraqitja e ekipit tim kundër një ekipi kaq të madh. Ne kishim mundësi për të dyfishuar rezultatin, por kishim përballë një Teutë ambicioze. Vëmendja ime tani do të jetë tek hapja e kampionatit ku ndeshjen e parë do ta kemi në Lezhë kundër Besëlidhjes. Do të shkojmë për të marrë pikë. Me këtë paraqitje që bëmë në këtë sfidë kam besim se në Lezhë do të shkojmë me një moral më të lartë. Me ekipin që kam ndërtuar, besoj se ne mund të jemi një ndër ekipet më të mira dhe mund të kapim edhe vendin e parë. Falënderoj kryetarin e Bashkisë, Gjon Gjonaj, që është edhe presidenti i ekipit, i cili na ka mbështetur. Gjithashtu falënderoj edhe tifozët e zjarrtë që na mbështetën dhe na dhanë më shumë fuqi në këtë ndeshje”, mbylli Krepi.

Magani: Kishim mungesa, Tërbuni meritoi fitoren

Trajneri i Teutës, Gugash Magani është justifikuar për humbjen e arritur në Pukë. Sipas tij, skuadra kishte mungesa. Nga ana tjetër, peqinasi ka falënderuar për mikpritjen pukjanët, por pranoi se vendësit e merituan fitoren. “I uroj suksese ekipit të Tërbunit që zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë dhe e meritoi fitoren pavarësisht se ne kishim mungesa. Ne kemi ndeshjen e kthimit pas dy javëve ku çdo gjë mund të ndryshojë. Falënderoj drejtuesit e ekipit të Tërbunit për mikpritjen dhe gjithashtu dua të shtoj që luajtëm në një stadium mjaft të mirë ku çdo gjë ishte në rregull”, është shprehur Gugash Magani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *