Sulmuesi shqiptar, Luis Kaçorri, është prezantuar te skuadra e Fiorenzuolas. Futbollisti 20-vjeçar ndërpreu kontratën e huazimit te Fermana për të kaluar një nivel më poshtë në Serie D, megjithëse siç thotë vetë ai, ofertat nga klubet e tjera të Serie C, nuk i munguan.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Fiorenzuolas. Zgjodha të vij këtu, pasi pashë një projekt në ngritje dhe një staf shumë të përgjegjshëm, duke filluar nga presidenti Luixhi Pinali te drejtori sportiv Simone Di Batista. Kjo ishte arsyeja përse refuzova oferta të tjera nga Lega Pro, për një projekt serioz dhe një ambient të shëndetshëm si Fiorenzuola”, tha Kaçorri në prezantimin e tij te klubi.
Sulmuesi shtatlartë, ka pasur eksperienca të mëparshme në Serie D, teksa sezonin e kaluar spikati me nëntë gola me skuadrën e Igea Virtus, çka bëri që të firmoste një kontratë me skuadrën e Karpit.
Kaçorri është një emër i njohur për klubet e Superiores, pasi në të shkuarën ka qenë në provë te Partizani, Kukësi dhe Vllaznia.