Finalja e kthimit e Kupës Libertadores do të luhet në Madrid, megjithatë në Argjentinë tensioni mbetet i lartë. Rivaliteti i madh që ekziston për duelin “SuperClasico”, ndërmjet River Plejt dhe Boka Zhunjors bën që atmosfera të jetë e nxehtë.
Rreth orës 16:00 lokale, në stadiumin e Boka Zhunjors, “Bombonera” u dha një alarm për bombë. E menjëhershme ndërhyrja e policisë federale dhe e forcave xheniere, ndërsa impianti u evakuua me urgjencë. Njerëzit që punojnë pranë klubit dhe tifozët, të cilët ndodheshin në tribuna për të mbështetur ekipin u detyruan të largoheshin nga stadiumi.
Pas incidenteve, ku tifozët e Riverit sulmuan autobusin që transportonte lojtarët e Boka Zhunjors, tensioni mbetet në nivele maksimale. Natyrisht që kjo nuk është mënyra më e mirë për të përgatitur prag ndeshjen, me kampionin e Amerikës Jugore, që do të përcaktohet në duelin e kësaj të diele, në “Santiago Bernabeu”.