Luftë, sakrificë, një skuadër më e bashkuar se kurrë, por gjithmonë me këmbët në tokë. Kjo konfirmohet nga Bruno Telushi, mesfushori që befas është shndërruar në golashënuesin më të mirë të Partizanit në këtë sezon. Në deklaratën pas ndeshjes për “SuperSport”, vlonjati foli nga të gjitha, duke zbuluar çelësin e suksesit tek të kuqtë, luftën për titullin dhe duelin e radhës me Skënderbeun.
“Kjo është fryma më e mirë e grupit që ka ekzistuar te Partizani. Kjo ndeshje sot kështu fitohej me grupin, sepse kemi vuajtur më tepër me këta kundërshtarë. Treguam karakter dhe arritëm të fitonim, pavarësisht golit të pësuar me kundërsulm”
“Sfida me Skënderbeun? E rëndësishme ishte ndeshja e sotme, deri më tani nuk e kemi menduar fare Skënderbeun. Menduam vetëm për Luftëtarin dhe tani do të përqendrohemi te Skënderbeu. Ajo sfidë është një ndeshje dhe një pasqyrë tjetër. Do të tregojmë karakter si grup dhe në fund do të fitojë më i forti”.
“Përplasja me arbitrin? Të them të drejtën nuk e pòashë fare. Zgjata këmbën për të kapur topin: e kapa pak topin, por më tepër arbitrin. I kërkova fajle dhe vazhduam më tej. Ndryshimi te Partizani nga viti i kaluar? Nuk dua që të bëj një zgjedhje, ndërmjet dy skuadrave, dhe nuk dua të hedh njeri poshtë. Por te ky Partizan është forcuar grupi, stafi dhe drejtuesit. Jemi bërë si një familje dhe këtë e tregojmë në fushë. Ky është suksesi”.
“Telushi golashënuesi më i mirë i ekipit? Kur futem në fushë, me pozicionin që kam, nuk më bën të mendoj që të shënoj. Por, në rastin e golave ndoshta ka qenë edhe fati me mua dhe ndihem mirë. Nuk e mendoj të jem golashënues. Mendoni për titullin kampion? Mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, nuk na ka shkuar mendja asnjëherë për kampion. Me Skënderbeun është ndeshje e vështirë, një sfidë që të karikon vetë. E thashë edhe më përpara, aty do të tregohen muskujt”.