Uljet e ngritjet e përsëritshme kanë krijuar një frymë mosbesimi. Drejtuesit e Bashkisë mendojnë për ndërhyrjet në skuadër
Vllaznia është shndërruar si në një “telenovele”. Të tillë e bëjnë atë uljet dhe ngritjet e saj nga njëra javë në tjetrën. Humbja në shtëpi me Teuten u konsiderua si një dramë më vete për opinionin sportiv shkodran. Një humbje që ndoshta për një pjesë të mirë të specialistëve të futbollit u fry më shumë se duhet, pasi në fund të fundit ishte vetëm java e dytë e kampionatit. Më pas vjen barazimi në transferte me Luftëtarin i konsideruar po nga ky opinion sportiv si një ngritje, qoftë me pikë, por më shumë në aspektin moral të skuadrës. Të gjitha këto bënë që në Shkodër të shpresohej se ndeshja e javës së tretë me Laçin do t’i mbante kuqeblutë në nivelet e kërkuara. Por, ajo që e prishi tërësisht këtë skemë është vete Vllaznia, e cila në përballjen e së shtunës me Laçin shkatërroi gjithçka me duart e veta. Humbja e pësuar, madje me rezultatin 2 me 0, ka shkaktuar një pakënaqësi totale në qytetin verior. Pa as më të voglin dyshim, të gjithë janë të pakënaqur, madje edhe të zemëruar me Vllazninë. Këtu, nuk e teprojmë të themi që indinjimi për këtë luhatje dhe oshilacion të rezultateve të Vllaznisë i ka kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë. Themi kështu, se ndoshta të parët që reagojnë duke përcjellë dëshpërimin dhe pakënaqësinë për rezultatet e dobëta të Vllaznisë është komuniteti shkodran që jeton jashtë Shqipërisë. Për to, Vllaznia është një pjesë e rëndësishme e jetës së tyre, ndaj kur ajo fiton, edhe pse gjenden larg Shqipërisë, entuziazmi dhe jeta e tyre bëhet edhe më e bukur me familjet e tyre. Të tillë janë shumë, por, për të mos u zgjatur, nëse mund të përmendim dy emra, si Alfred Pavaci dhe Bardh Maçi, i pari në Itali dhe i dyti në Irlandë, mjafton të kujtojmë edhe shumë e shumë të tjerë të cilët, duke shfrytëzuar rrjetet sociale përcjellin shqetësimin dhe preokupimin e tyre për luhatjet e kësaj Vllaznie e cila megjithatë përpjekjet e saj nuk po arrin të gjejë stabilitet. I tillë ishte zhgënjimi i tyre dhe i gjithë opinionit të gjerë sportiv shkodran, brenda dhe jashtë vendit për humbjen e pësuar të shtunën në Laç. Lojtarë pa gjak, pa grinte, pa sedren e duhur sportive, i konsiderojnë ato futbollistët e sotëm të Vllaznisë, të cilët nuk arrijnë të vlerësojnë si duhet fanellën e nderuar dhe respektuar të Vllaznisë së Shkodrës. Klubit embleme në Shqipëri, por që aktualisht skuadra kuqeblu është shpërfytyruar në atë mënyrë sa nuk e lidhë asgjë me Vllazninë e traditave dhe të sukseseve të shumta të futbollit shqiptar.