Telefoni i prishur…

 

Opinion nga Anton Cicani

“Na ishte njëherë…”. A nuk fillojnë kështu të gjitha përrallat që kemi lexuar në libra të ndryshëm për fëmijë, edhe pse nuk na pëlqente pjesa e të shkruajturit një lexim jashtëklase. Ishin të tmerrshëm ato lexime, ku përpara klasës do të duhet të nxirrnim thelbin e një libri me 200 e tej faqe…

Na mjaftonte t’i hidhnim një sy parathënies dhe faqes së fundit, për të nxjerrë disa detaje. Fundja, mendonim se mësuesja ose mësuesi nuk do t’i futeshin aq thellë historisë, pasi kishin edhe nxënës të tjerë për të pyetur… Ishte bukur ashtu, të merrje një notë shumë lehtësisht. Mjaftonte edhe të bëje të tilla dredhi.

Nuk e dimë se çfarë notash kanë marrë Xhani de Biazi dhe Armand Duka kur kanë qenë në shkollë, por na mjafton të themi se të dy duhet të kenë qenë mirë në këto leximet jashtëklase. Të paktën, këtë kanë lënë të kuptohet. Askush s’i hyn historisë në brendësi, por na japin faqen e parë dhe të fundit. Europiani, ekipi në krizë, rinovimi që s’bëhet dhe respekti reciprok…

Dhe, meqë jemi në temën e fëmijërisë, atëherë ia vlen të përmendim një lojë kuptimin e të cilës kurrë nuk kam arritur ta zbërthej. Quhej telefoni i prishur dhe njëri i tregonte tjetrit diçka nga veshi në vesh dhe, në fund, ai që do ta thoshte, do të gabonte padiskutim diçka, pasi gjatë përcjelljes së lajmit, mesazhi do të ndryshohej…

E pra, telefoni i prishur po luhet prej disa ditësh sa i përket temës “kombëtare”. Në një anë, trajneri De Biazi që vendos të zbardhë listën e grumbullimeve dhe nuk flet për mediet, ndërsa në tjetrën presidenti i institucionit që udhëton me shpejtësi në Turqi, duke biseduar me ekipin dhe dhënë intervistë të gjatë, ku temën e të ardhmes së trajnerit e anashkalon me “rëndësi ka kombëtarja tani, jo individi”.

Nuk mbaron me kaq, por sinjali kalon në veshin e De Biazit, që në fillim thotë “nuk mendoj rinovimin”, teksa kundërpërgjigja e Dukës vjen me “të qartësojë lajmet e ofertave sepse kështu edhe ekipi nuk ndikohet”. Italiani thërret konferencë të jashtëzakonshme, duke pritur pyetjet e pashmangshme.  Më pas, lëshon bombën se s’do të rinovojë, pasi tani është vonë dhe nuk ndjeu besimin e federatës. “Dikushi”…

Ai donte të bënte funeralin e tij, ai donte kokën e tij dhe ai mezi priti të humbiste në Haifa. “Mjafton ta dijë un se kush është ai”, vijon telefoni i prishur… me serinë e re ditën e sotme, kur Duka do të dalë në konferencë, pasi tre karrige nuk mund të qëndronin dot bashkë në një sallë konferencash. Nuk mund të qëndronin si atëherë kur u hodhën firmat mbi kontratën e parë, mbi rinovimin apo kur u hapën shampanja dhe u bënë festime pas pikëve të CAS-it… Kur ndahesh, e bën nga larg. Edhe pse, një mur ndante De Biazin nga Duka. Por, telefoni i prishur qenka kështu, më keq se sa leximi jashtëklase. Të paktën, aty mjaftonte fillimi dhe fundi i librit dhe ia hidhje paq…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online