Karriera e Amir Rrahmanit është modeli më i mirë për t’u ndjekur nga të rinjtë shqiptarë që duan të luajnë në majat e futbollit europian. Mbrojtësi nga Kosova e nisi me Drenicën e Partizanin dhe tani e sheh veten kampion të Italisë me Napolin. Por hapat e tij të parë nuk kanë qenë të lehta. Trajneri i tij i parë, Ilir Sopi, ka dhënë një rrëfim për “Expose”, ku ka treguar këmbënguljen e tij për t’i siguruar Rrahmanit një firmë në Shqipëri. Sopi ka thënë se fillimisht e ka dërguar te Vllaznia, ku ka kryer edhe fazën përgatitore, por më pas është lënë jashtë listës së ekipit. Më pas do të vinte edhe firma me Partizanin, por te të kuqtë nuk mori besimin e duhur në fillim.
“Golfi im 2-sh ka qenë legjendë e rrugës Prishtinë – Tiranë. Me Golfin tim mund të them se tre herë në ditë e kam kaluar këtë rrugë veç që këta djelmosha t’i dërgoja në Shqipëri, që ishte më lartë në futboll. E marr Rrahmanin dhe e dërgoj tek Vllaznia e Shkodrës, ku ishte Ilir Nallbani, i cili gëzonte respekt të jashtëzakonshëm nga Shkodra, dhe aty biseduam me Amir Grimën. 22 ditë kishte fazë përgatitore me Vllazninë dhe më pas klubi iku në Mal të Zi në fazën tjetër, por Amirin ma larguan nga lista. Unë e tërhoqa dhe filloi të luante sërish në Drenicë. I dhashë fjalën që do ta çoja në Shqipëri.
Në vitin 2010/11 nëse s’gaboj shoqërohem me disa çuna të Partizanit dhe aty filloi bashkëpunimi im me atë klub për 2 vite rresht. Kam marrë Amirin e kam dërguar në Partizan, kemi bërë marrëveshje dhe kontratën e parë me futbollistin, dhe flitet që ishte futbollisti më i ri që do luante aty, por trajneri nuk kishte guxim ta fuste. Kishte frikë, derisa iu afrova presidentit Gaz Demi, ku ia kërkova ta inkuadronte për 15 minuta dhe do të bindej. Tha cilin çun, i tregova për Rrahmanin, por më tha se nuk e dinte që ka ndonjë çun kosovar dhe më pyeti nëse ia kam sjellë. I bie telefonit dhe Amiri mori minutat dhe më Amiri asnjëherë nuk është tërhequr nga klubi i Partizanit”, ka deklaruar Ilir Sopi./Sport Ekspres/