Orges Shehi ka kërkuar që të harrohet sa më shpejtë të jetë e mundur ajo aventurë e fundit në Europë. Tirana ishte zhgënjimi më i madh i ekipeve të Superiores, teksa bardheblutë humbën në çdo ndeshje të mundshme. Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Kukësi, Shehi ka theksuar edhe njëherë tjetër arritjen e titullit kampion.
“Shorti na ka rezervuar një rival direkt në ndeshjen e parë, të shkojmë të luajmë si kampionët në fuqi. Limaj ende vuan dëmtimin e Kupave të Europës. Seferi ka kaluar një gjendje jo të mirë shëndetësore, por ka rreth pesë ditë që stërvitet me skuadrën. Ditën e djeshme erdhi edhe një sulmues i ri, jemi gati.
Kampionati? Maratonë e gjatë, të sillemi si kampionë dhe kjo duhet të fillojë që ndaj Kukësit që të kemi vazhdimësinë për objektivat madhorë. Kampionatin e vjetshëm të Tiranës shumë pak skuadra mund ta kenë bërë, dominuam nga java e pestë deri në të fundit”, tha Shehi. /Sport Ekspres/