“Të pyesim për Totenhemin? Mos të interesohemi shumë”! Gjoka i di të gjitha detajet: Deri te qentë e futbollistëve

Murinjo është interesuar për të marrë më tepër informacione mbi Shkëndijën dhe për këtë arsye i ka ardhur në ndihmë Goran Pandev. Dikur kanë qenë pjesë së bashku te Interi i historisë dhe tripletës, ndërsa tashmë trajneri portugez kërkon një ndihmë për të mësuar më tepër rreth rivalit me të cilin do të ndeshet për “Europa League”.

Nga krahu tjetër, Ernest Gjoka është shprehur se te Shkëndija nuk duhet të jenë kaq shumë të interesuar për t’i treguar Totenhemin. Kjo pasi në media dalin mjaftueshëm informacione, madje deri në detajet më të vogla, për të treguar edhe qentë që mbajnë futbollistët për arsye sigurie në Angli.

“Murinjo ka pyetur për Shkëndijën dhe kjo është shumë normale në botën që ai jeton. Ai ka pyetur Pandev rreth skuadrës sonë, kjo është një gjë normale, pasi ato dy njihen. Unë jam i sigurt se Pandev ia ka thënë të vërtetën për Shkëndijën, se çfarë kjo skuadër është për futbollin në Maqedoni. Të konsultohesh me një kolegë, ajo është thjeshtësi dhe njëkohësisht edhe profesionalizëm.

Edhe ne kishim kontaktet tona për të pyetur, edhe pse të jemi realistë Shkëndija nuk duhet të interesohet edhe aq shumë për Totenhamin. Thuajse çdo ditë i kemi nëpër TV, për këtë skuadër bëhen analiza të ndryshme në Angli. I njohim deri në detajin më të vogël, ndërsa mediat atje shkruajnë madje edhe për qentë e futbollistëve”, ka thënë Gjoka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *