Nga Klaudio Ndreca
Nëse flasim për Superioren, padyshim që e gjithë vëmendja shkon te ekipi që po korr suksesin më të madh, Tirana. Fitoret radhazi janë një magji që i përkasin drejtimit të Egbos, por që opinionistët e futbollit e zbusin shpeshherë edhe me organikën e pasur të bardhebluve që është formuar për objektiva të tilla.
Por surpriza më e madhe në këtë kampionat, me plotë kuptimin e fjalës, mbetet Skënderbeu. Dënimi në Europë nuk ka ndryshuar thuajse asgjë në këtë skuadër, që ndryshe nga çfarë prisnin të gjithë, ndodhet në vendet më të larta. Madje me një hap të gabuar të Kukësit ndaj Partizanit, do t’i bashkohej vendit të dytë.
E çfarë arritje do të ishte! Vetëm imagjinojeni për pak, kur për klubet shqiptare mbërritja në Europë është shpëtimi ekonomik dhe papritur vjen klubi që nuk e ka këtë të drejtë, për t’i parakaluar të gjithë. Korçarët do të udhëtojnë në transfertë ndaj Flamurtarit dhe duke parë gjendjen e tyre në kampionatin shqiptar, me shumë gjasa do të vijë edhe fitorja e radhës. Kjo do të ishte hera e gjashtë radhazi që Skënderbeu do të triumfonte, me një meritë të madhe që shkon për Ilir Dajën. Pavarësisht “dallgëve” që këtë sezon kanë qenë të shumta, kapiteni nuk e braktisur kurrë anijen. Madje duke e udhëhequr në mënyrën më të mirë edhe në stuhitë më të forta. Por nuk ka vend për të hapur shampanjën, kurrsesi, kjo ndodhë vetëm në rastin kur Skënderbeu ia del në betejën më të rëndësishme për të fituar gjyqin dhe për t’u kthyer sërish në Europë. /Sport Ekspres/