“Të kthehet te Chelsea, ne këtu jemi”, Silvinjo jep mesazhin për Brojën: Maradona fitoi Botërorin, por aty ishte edhe Valdano

Silvinjo është i ftuar në emisionin “Real Story” në “ABC News”. Në një intervistë me Sokol Ballën, trajneri i Kombëtares shqiptare ka folur për përvojën e tij në stolin e kuqezinjve. Silvinjo është ndalur edhe te Armando Broja. Braziliani është shprehur se në momentin që sulmuesi 22-vjeçar do të kthehet në formën e duhur te Chelsea, atëherë do të jetë pjesë e rëndësishme edhe e kuqezinjve. Por, Silvinjo ka dhënë edhe një mesazh të qartë, duke u shprehur se askush nuk mund të bëjë gjtihçka i vetëm në futboll, pavarësisht cilësive të jashtëzakonshme që një futbollist mund të ketë.

“Broja është i rëndësishëm. Është e rëndësishme që ai të kthehet sa më shpejtë. Ka pasur një dëmtim të rëndë, ashtu si dhe Kumbulla. Duhet të kthehet në 100% të formës. Është e vërtetë që luajti disa ndeshje me Chelsea-n. Kur erdhi me ne ndjeu shqetësime dhe kur u kthye nuk luajti më me Chelsea-n. Kur ai të kthehet të luajë me Chelsea-n, ne jemi këtu. Unë kam vizituar shumë lojtarë, edhe atë e kam takuar. Është një djalë shumë i mirë. Maradona nuk e fitoi Botërorin i vetëm, aty ishte Barançaga, Valdano. Lojtarë shumë të rëndësishëm për Argjentinën. Në Botëroin e 94-s Romario bëri një botëror të çmendur, por aty ishte edhe Bebeto. E njëjta gjë ndodhi edhe me Mesin këtë herë. Një futbollist nuk mund të bëjë çdo gjë i vetëm. Të gjithë duhet ta kuptojnë, skuadra nuk është një lojtar, por është shpirti dhe më pas cilësia e futbollistit arrin të rritet brenda skuadrës”, ka thënë Silvinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *